Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Albana Boksi, është zgjedhur si personi që do të shqyrtojë çështjen ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu.
Kujtojmë se rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me inciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve” , me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të pushimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, por Gjykata e Lartë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen e tij, duke shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës.
Gjykata e Posaçme e shkallës së parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi Prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, ndërsa argumentoi se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar. Mediu e kundërshtoi përmes avokatit të tij vendimin e Apelit të Posaçëm, duke pretenduar ‘cenim të parimit të sigurisë juridike dhe të parimit të gjësë së gjykuar”.
SPAK pritet të hetojë përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit 2008, ngjarje për të cilën Mediu është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.