NASA ka zbuluar tre planete jashtë sistemit tonë diellor dhe njëri prej tyre, GJ 357 d, mund të jetë i banueshëm. Megjithatë tani për tani atje është ende ngricë. Në fakt studiuesit donin vetëm të vërtetonin ekzistencën e një planeti, për të cilin prej kohësh ata mendonin se ekzistonte. Por gjatë hulumtimeve ata zbuluan njëkohësisht edhe dy planetë të tjerë, ndër ta edhe planetin GJ 357 d, i cili me gjasë mund të jetë i banueshëm.
Të tre planetët e zbuluar rrotullohen rreth Diellit GJ 357 në konstelacionin e yjeve Gjarpëri i Ujit (Hydra) dhe kanë një distancë 31 vjet dritë larg. Këto planete u zbuluan nga teleskopi i NASA-s Transiting Exoplanet Survey Satellite (TESS). Gjatë këtij vëzhgimi ata hasën në ekzistencën e një exoplaneti, i cili në orbitën e tij pjesërisht e mbulonte yllin e kësisoj drita zbehej. Fjala është për Voilà – GJ 357 b. Planeti ka një temperaturë ekuilibri të llogaritur prej rreth 250 gradë Celsius duke u cilësuar si planeti i nxehtë.
Gjatë vëzhgimeve të tyre astronomët hasën në sinjalet e dy exoplanetëve të tjerë: GJ 357 c dhe GJ 357 d. Edhe planeti GJ 357 c sipas përllogaritjeve duhet të jetë i shumë i nxehtë: ai ka një temperaturë ekuilibri prej rreth 130 gradë Celsius, thanë studiuesit.
Planeti GJ 357 d është sipas shkencëtarëve shumë larg diellit të tij, ndaj vështirë se ai mund të jetë i banueshëm, ai ndodhet në periferinë ekstreme të një zone të banueshme të sistemit të tij. Me një temperaturë të llogaritur prej minus 53 gradë Celsius ky planet duket në vështrim të parë si i pamundur që të banohet. Por “nëse planeti ka një atmosferë të dendur, që duhet të përcaktohet në studimet e mëtejshme, ajo mund të thithë ngrohtësi të mjaftueshme për ta ngrohur planetin dhe për të lejuar depërtimin e ujit në sipërfaqen e tij”, shkruajnë studiuesit. Ai ka një masë prej të paktën 6.1 herë më të madhe se Toka dhe sillet rreth yllit të tij çdo 55.7 ditë me një distancë rreth 20 % të largësisë së Tokës nga Dielli.