Zbuten bashkiakët e PD-së, kërkojnë largimin paqësor të materialeve zgjedhore nga KZAZ-të

AKTUALITET


Bashkitë e drejtuara nga kryetarë të PD dhe LSI, duket se kanë bërë një hap pas, pasi të enjten nuk kanë përdorur dhunë për largimin e materialeve zgjedhore nga KZAZ-të. Ndryshe nga ngjarjet e të martës, që kulmuan me ato të mërkurës, ku u sulmuan dhe shkatërruan materialet zgjedhore në disa KZAZ, këtë të enjte situata ka qenë më e qetë. Të paktën deri në orët e pasdites të së enjtes nuk ka pasur sulme të organizuara nga militantët e PD-së.

Siç raportohet nga media, bashkitë e djathta, nuk janë tërhequr nga kërkesa e tyre për lirimin e ambienteve publike ku janë vendosur materialet zgjedhore, por, këtë të enjte, drejtuesit e djathtë kanë kërkuar në mënyrë paqësore që të largohen materialet zgjedhore nga KZAZ-të.

Kjo tërheqje  e organizuar nga veriu në jug, kudo drejtojnë të zgjedhur të opozitës, ka të ngjarë që të kenë marrë një direktivë nga qendra, ku mesaduket u është kërkuar të ndalin sulmet. Këtë e vërtetoi në njëfarë mënyre edhe vetë Lulzim Basha, që gjatë një konference për shtyp të enjten pasdite, ku dha sinjale për dialog me qeverinë.

Sakaq, këtë logjikë e përforcon fakti se këtë të enjte, kryetari i bashkisë së Delvinës, Rigers Balili, i zgjedhur nën siglën e LSI, i cili më herët kishte dhënë ultimatum për lirimin e ambienteve ku ishte vendosur KZAZ. Pas skadimit të afatit, që ishte lënë deri në orën 14:00, kryetari i bashkisë së Delvinës nuk ka shkuar më tej duke ndërhyrë me dhunë për të larguar materialet zgjedhore nga KZAZ.

Megjithatë, një tjetër arsye, që qëndron ndoshta në plan të dytë, është fakti se pas dhunës së ushtruar , janë arrestuar dhe proceduar shumë persona, kryesisht militantë të PD-së dhe punonjës të administratave të bashkive të djathta. Por, veç Bardh Spahisë, asnjë tjetër drejtues i lartë i PD-së nuk është ndaluar për ngjarjet e ndodhura ditët e fundit. A do të shkojnë në burg qytetarët duke shkelur ligjin, ndërkohë që drejtuesit dhe urdhëruesit e dhunës nuk i gjën gjë?



Skip to toolbar