Dhunë në Dibër, plagosen 6 policë dhe disa protestues. Policia: Po na sulmojnë 300 persona

Militantët e PD kanë sulmuar policinë dhe KZAZ-në numër 19 në qytetin e Dibrës, që ndodhet në palestrën e shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”. Militantet e PD-se pas protestës në rrugët e qytetit kanë sulmuar efektivët duke detyruar policinë që të hedhë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Në krye të protestuesve ndodhet edhe ish deputeti i PD-së, Xhemal Gjunkshi. Protestuesit janë duke quajtur me kapsolla dhe molotov në drejtim të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Nga përplasja dhe hedhja e gazit lotsjellës në Dibër, jashtë ambienteve të shkollës ku është vendosur KZAZ-ja , janë plagosur 6 efektivë policie dhe disa protestues. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe policia e shtetit, që thotë se rreth 300 persona po sulmojnë me kapsolla dhe bomba molotov për të hyrë brenda KZAZ-së.  

“Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku  rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambienteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore” – thuhet në deklaratën e policisë.

Dhuna në KZAZ, Lleshja: Verbëri politike që do marrë ndëshkimin e merituar

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshja ka regjura në lidhje me dhunë  e ushtruar në Dibër ndaj policisë dhe KZAZ së vednisur në atë qytet. Ai e ka cilësuar një dhunë të verbër politike por që do marrë ndëshkimin e merituar.

“Verbëria e dhunës politike po sulmon sot me molotov KZAZ e vendosur në shkollën “Nazmi Rushiti” dhe Policinë në Dibër, nën drejtimin e përfaqësuesve të lartë të opozitës. Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit!”

Shkodër, policia bashkiake përplaset me disa persona në KZAZ nr. 2, shoqërohen 5 persona

Policia bashkiake, me urdhër të Voltana Ademit, mban të mbyllura ambientet e KZAZ numër 2 e vendosur në pallatin e Sportit ‘Qazim Dervishi’. Kjo ka sjellë përplasjen e disa personave me policinë bashkiake, të cilët kanë kërkuar që të marrin materialet që kanë qenë brenda KZAZ numër 2 dhe kanë tentuar ta hapin atë me dhunë. Si pasojë qepenat e pallatit të sportit janë dëmtuar, nga hapja me forcë. Në lidhje me ngjarjen policia e shtetit ka shoqëruar 5 persona

Bllokimi i KZAZ nr.2 në Shkodër ka ardhur që më 18 qershor, ku policia bashkiake me urdhër të Voltana Ademit nuk lejuan që anëtarët e KZAZ të futen në ambientet e brendshme.

Duket se incidentet dhe dhuna nuk po mungon, sidomos në Shkodër, ku disa ditë më parë ju vu flaka shkollës “Shejnaze Juka” nga militantët e PD. Ndërsa mbrëmjen e së enjtes iu vu flaka shkollës “Ndre Mjeda” në Bushat.

Voltana Ademi :  Nuk e dhunuam ne KZAZ-në te Pallati i Sportit

Partia Demokratike e Shkodrës ka reaguar pas dhunës në godinën e Pallatit të Sportit duke u distancuar nga akte të tilla.

Përmes një deklarate për mediat thuhet se “Bashkia e Shkodrës dënon dhe denoncon me forcë aktin e rëndë të dhunimit të ndërtesës së Pallatit të Sportit nga persona vandalë, të cilët janë përleshur me punonjës të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, të cilët së bashku janë përpjekur të ndalojnë këta dhunues të pronave të qytetarëve shkodranë”.

Më tej theksohet se “ka qenë një veprim banditesk, i cili nga sa mund të kuptohet deri tani, frymëzohet edhe nga deklarimet e papërgjegjshme të qeveritarëve në Tiranë”.

Zbuten bashkiakët e PD-së, kërkojnë largimin paqësor të materialeve zgjedhore nga KZAZ-të

Bashkitë e drejtuara nga kryetarë të PD dhe LSI, duket se kanë bërë një hap pas, pasi të enjten nuk kanë përdorur dhunë për largimin e materialeve zgjedhore nga KZAZ-të. Ndryshe nga ngjarjet e të martës, që kulmuan me ato të mërkurës, ku u sulmuan dhe shkatërruan materialet zgjedhore në disa KZAZ, këtë të enjte situata ka qenë më e qetë. Të paktën deri në orët e pasdites të së enjtes nuk ka pasur sulme të organizuara nga militantët e PD-së.

Siç raportohet nga media, bashkitë e djathta, nuk janë tërhequr nga kërkesa e tyre për lirimin e ambienteve publike ku janë vendosur materialet zgjedhore, por, këtë të enjte, drejtuesit e djathtë kanë kërkuar në mënyrë paqësore që të largohen materialet zgjedhore nga KZAZ-të.

Kjo tërheqje  e organizuar nga veriu në jug, kudo drejtojnë të zgjedhur të opozitës, ka të ngjarë që të kenë marrë një direktivë nga qendra, ku mesaduket u është kërkuar të ndalin sulmet. Këtë e vërtetoi në njëfarë mënyre edhe vetë Lulzim Basha, që gjatë një konference për shtyp të enjten pasdite, ku dha sinjale për dialog me qeverinë.

Sakaq, këtë logjikë e përforcon fakti se këtë të enjte, kryetari i bashkisë së Delvinës, Rigers Balili, i zgjedhur nën siglën e LSI, i cili më herët kishte dhënë ultimatum për lirimin e ambienteve ku ishte vendosur KZAZ. Pas skadimit të afatit, që ishte lënë deri në orën 14:00, kryetari i bashkisë së Delvinës nuk ka shkuar më tej duke ndërhyrë me dhunë për të larguar materialet zgjedhore nga KZAZ.

Megjithatë, një tjetër arsye, që qëndron ndoshta në plan të dytë, është fakti se pas dhunës së ushtruar , janë arrestuar dhe proceduar shumë persona, kryesisht militantë të PD-së dhe punonjës të administratave të bashkive të djathta. Por, veç Bardh Spahisë, asnjë tjetër drejtues i lartë i PD-së nuk është ndaluar për ngjarjet e ndodhura ditët e fundit. A do të shkojnë në burg qytetarët duke shkelur ligjin, ndërkohë që drejtuesit dhe urdhëruesit e dhunës nuk i gjën gjë?

Dhuna ndaj KZAZ-ve, nëpunësit bashkiak do të dënohen

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Nëpunësit Civil u dërgon letër Bashkive opozitare, që nxitën dhunë në KZAZ-të në njësitë që ato administrojnë. Në lëtër kërkohet  evidentimi i nëpunësve bashkiak, që janë përfshirë në aktet e dhunës dhe kanë dëmtuar materialet zgjedhore.

Komisioneri cilëson se ka informacion se disa punonjës të qeverisjes vendore janë përfshirë në grumbullime të paligjshme ku është ushtruar dhunë dhe dëmtuara materialet zgjedhore, në kundërshtim me ligjin, që përcakton qartë neutralitetin e tyre në çështjet me karakter politik. “Disa punonjësve të njësive të qeverisjes vendore, në veprime që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, si pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme pranë vendeve ku janë kryer veprime të dhunshme, ndaj zyrave të KZAZ-ve, duke i dëmtuar ato apo duke shpërdoruar materialet zgjedhore që ruhen në ambientet e tyre. Nisur nga këto rrethana, sjellim edhe njëherë në vëmendjen tuaj rekomandimet që ka dhënë Komisioneri në fillim të fushatës zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit nr.152/2013,“Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, e në veçanti me respektimin/kufizimin e të drejtave me karakter politik të nëpunësit civil, gjatë procesit zgjedhor (neni 37 i ligjit),të cilat garantojnë parimet e përgjithshme të shërbimit civil, të tilla si: neutraliteti, paanshmëria dhe integriteti i tyre gjatë kryerjes së detyrës.”- thuhet në shkresën drejtuar bashkive.

Komisioneri tha se çdo rast dhe person i evidentuar do të përballet me procedimin disiplinor siç e përcakton ligji.

Lexoni shkresën e plotë

“Në kuadër të mbikëqyrjes së ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil gjatë procesit zgjedhor, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka ndjekur në vijimësi zhvillimet në lidhje me emërimet e reja, largimet/lirimet nga shërbimi civil dhe sjelljen e nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore, si nëpërmjet raportimit të grupeve të monitorimit të ngritura pranë institucioneve që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, ashtu dhe nga ngjarjet e reflektuara në media apo nga informacione të ndryshme të ardhura pranë Komisionerit.

Në mbledhjen e fundit të Task Forcës, ku Komisioneri merr pjesë si i ftuar, nga anëtarët e këtij grupi janë ngritur shqetësime për përfshirjen e disa punonjësve të njësive të qeverisjes vendore, në veprime që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, si pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme pranë vendeve ku janë kryer veprime të dhunshme, ndaj zyrave të KZAZ-ve, duke i dëmtuar ato apo duke shpërdoruar materialet zgjedhore që ruhen në ambientet e tyre.

Nisur nga këto rrethana, sjellim edhe njëherë në vëmendjen tuaj rekomandimet që ka dhënë Komisioneri në fillim të fushatës zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit nr.152/2013,“Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, e në veçanti me respektimin/kufizimin e të drejtave me karakter politik të nëpunësit civil, gjatë procesit zgjedhor (neni 37 i ligjit),të cilat garantojnë parimet e përgjithshme të shërbimit civil, të tilla si: neutraliteti, paanshmëria dhe integriteti i tyre gjatë kryerjes së detyrës.

Qëllimi i kësaj dispozite, e cila rregullon në mënyrë të hollësishme sjelljen e nëpunësve civilë gjatë periudhës zgjedhore, është të disiplinojë nëpunësit civilë që të ushtrojnë vetëkontroll për sa i përket manifestimit në publik të pikëpamjeve politike dhe besnikërisë në një forcë politike në jetën private, çka do të thotë që, ata nuk mund të manifestojnë me pankarta në duar, apo të jenë protagonistë në foltoret e subjekteve politike që zhvillojnë fushatën zgjedhore.

Mosrespektimi i dispozitës së mësipërme konsiderohet shkelje e disiplinës në punë dhe në kuptim e zbatim të ligjit, ndaj rasteve të tilla duhet të mbahet qëndrim sipas parashikimeve të ligjit për procedimin disiplinor.

Komisioneri kërkon nga grupet e monitorimit që të ndjekin situatën në kohë reale dhe të verifikojnë nëse personat e përfshirë në veprime të dhunshme janë nëpunës civil; nëse konstatohen të tillë, të fillojnë menjëherë procedurat disipilinore sipas parashikimeve të ligjit.        

Në kuadër të bashkëpunimit për realizimin e procesit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit për nëpunësin civil, gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në bazë të pikës 3, të nenit 14, të ligjit nr.152/2013, brenda datës 24.06.2019, të dërgohet pranë Komisionerit  informacion në lidhje me sa më sipër. Për çdo veprim që do të ndërmerret nga grupet e monitorimit, Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Komisionet Disiplinore, si dhe nga çdo subjekt i ngarkuar nga ligji për administrimin e shërbimit civil të dërgohet në vijimësi informacion pranë Komisionerit.

Veç kësaj, Komisioneri kërkon nga Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore pranë institucioneve të rikujtojnë edhe njëherë çdo nëpunës civil për të drejtat dhe kufizimet që i njeh ligji gjatë fushatës zgjedhore,si dhe të kujdesen që të mos lejojnë shkelje të ligjit nga ana e tyre.

Duke vlerësuar ecurinë e mirë të këtij procesi, të cilin po e realizojmë së bashku, Komisioneri është gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar institucionin tuaj dhe ju inkurajon që të informoni në kohë reale për çdo shkelje të ligjit që ju konstatoni gjatë kësaj periudhe zgjedhore”.

Skip to toolbar