Zelensky në Londër: Liria do të triumfojë, Rusia do të humbasë

BOTA


Përmes një avioni ushtarak mbërriti në Londër. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një vizitë surprizë në Mbretërinë e Bashkuar, në shenjë falënderimi dhe në kërkim të avionëve të fuqishëm për të luftuar pushtimin e Rusisë. Kryeministri Rishi Sunak ishte i pari që e priti, duke e shoqëruar nga aeroporti për në zyrën e tij ikonike me numër 10 në Downing Street.

“Është një privilegj t’ju kem këtu. Volodymyr, ne dëshirojmë që të qëndrojmë krah jush përgjatë këtij konflikti dhe të sigurohemi që të jeni fitues”, deklaroi Sunak.


Presidenti ukrainas falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për të gjithë mbështetjen e dhënë, ndërsa më pas vijoi për në godinën e parlamentit, për t’iu adresuar ligjvënësve dhe mbarë britanikëve. Duartrokitjet dhe ovacionet ishin të gjata.

“Ne e dimë që liria do të fitojë dhe se Rusia do të humbasë. Gjithashtu e dimë që kjo fitore do ta ndryshojë botën. Ky do të jetë ndryshimi për të cilin bota ka pasur nevojë prej shumë kohësh. Mbretëria e Bashkuar po marshon me ne në fitoren më të rëndësishme të epokës sonë. Pasi ne të fitojmë së bashku, çdo agresor do ta dijë se çfarë e pret nëse sulmon rendin ndërkombëtar. Çdo agresor do të humbasë”, u shpreh Zelensky.

Duke përfaqësuar të gjithë ukrainasit dhe ushtarët, pjesë të rezistencës ndaj forcave pushtuese ruse, Zelensky kërkoi nga aleatët perëndimorë që ta ndihmojnë vendin e tij me avionë luftarakë dhe të mos ndalen në vetëm trajnimin e pilotëve ukrainas.

“Kjo është helmeta e njërit nga mbretërit tanë, i përkiste një piloti shumë të suksesshëm. Në të shkruhet: ‘ne kemi liri, na jepni krahë për ta mbrojtur atë’.”

Në fund, Zelensky falënderoi në advansë qeverinë britanike për dërgimin e avionëve luftarakë në Kiev, në një tentativë për të futur presion për marrjen e një vendimi të tillë. Por Britania refuzon të furnizojë Ukrainën me bombardues Typhoon apo F-35, duke thënë se nuk do të ishte qasja e duhur. Gjatë qëndrimit në Londër, Zelensky do të takohet edhe me Mbretin Charles i Tretë.




Skip to toolbar