Në pritje të ndihmës së madhe Amerikane, Ukraina po reziston me ç’të mundet përballë Rusisë.
Shefi i inteligjencës ushtarake të Kievit, Kyrylo Budanov, konfirmon situatën e vështirë, që mund të vazhdojë deri në mesin e majit. Por gjendja në front nuk paraqitet katastrofike, sipas tij.
Presidentit i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lëshoi alarmin për mbi 300 mijë luftëtarë të rinj që po i mobilizon Rusia për t’i dërguar në luftë brenda pak javësh, me synimin për të pushtuar qytetin simbol të luftës kundër nazizmit, Chasiv Yar, brenda 9 majit.
“Jam informuar për zonat e nxehta në frontin e luftës. Ato janë Chasiv Yar dhe pjesë kryesore të rajonit të Donjeckut, gjithashtu edhe disa zona në rajonit e Harkivit. Ne do të vazhdojmë të rezistojmë. Falenderoj çdo ushtar, komandant apo njësi që shënjestron mirë dhe vijon të rezistojë,” deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Gjithashtu Zelensky iu përgjigj pretendimit të Rusisë se me ndihmat e reja, Shtetet e Bashkuara do të shndërrojnë Ukrainën në një Afganistan të dytë.
“Nuk do të ndodhë kështu, por do t’i dërgojmë Kremlinit një mesazh të fortë”, thotë presidenti.
Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, u tha homologëve të vendeve të Bashkimit Europian në këshillin e ministrave që të veprojnë dhe jo diskutojnë dërgimin e municioneve dhe mbrojtjes ajrore.
Por kryediplomati rus, Sergej Lavrov, paralajmëron se mbështetja amerikane, britanike, dhe franceze për Ukrainën po shton rrezikun për një luftë botërore mes fuqive bërthamore.
“Ata janë gati të pengojnë vendin tonë deri në ukrainasin e fundit. Perëndimorët po zhyten rrezikshëm në prag të një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake midis fuqive bërthamore, e cila është e mbushur me pasoja katastrofike.”
Përballë kësaj deklarate, që po lexohet si kërcënim real, Polonia po kërkon që aleanca ushtarake NATO të vendosë armë bërthamore në territorin e saj.