“Në dhjetor, Lulzim Basha do të dalë përfundimisht nga politika”. Kështu është shprehur kryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla në një intervistë për TVSH-në, ndërsa theksoi dhe njëherë se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor.
Duke komentuar hetimet për paratë e përdorura nga PD për të lobuar pranë administratës amerikane, Balla tha se kjo çështje do t’i mbyllë karrierën Bashës.
“Më lejoni t’ju kujtoj diçka që e kam thënë herën e fundit në emisionin tuaj. Kur kam qenë para gjashtë muajsh ju kam thënë se Lulzim Basha do të jetë një person që do të ketë hesape të rënda me drejtësinë në lidhje me dosjen e parave ruse.
Atëherë nuk më besuat dhe tani që Lulzim Basha është i pandehur, ndoshta kam të drejtë të marr revanshin mediatik. Unë nuk kisha si t’i dija më përpara hapat që do të ndërmerrte drejtësia, por e kam besuar që në fillim investigmin e revistës ‘Mother Jones’.
Kurrë nuk kam pasur ndonjë dyshim se Basha gënjente kur deklaronte se kishte nisur në amerikë 75 mijë dollarë, por kishin mbërritur atje 975 mijë. Karriera politike e Lulzim Bashës ka përfunduar. Dhe këtu do të jemi kur të më vijë radha në atë ciklin e emisionit tuaj.
Ju thashë në janar 2019 për dosjen e parave ruse, po ju them edhe në 14 qershor se kjo dosje mbylli karrierën politike të Lulzim Bashës. Më ftoni në 14 dhjetor dhe do të më thoni se kisha të drejtë ” – tha Taulant Balla.
Ditën e hënë Basha do të paraqitet në Prokurori për t’u njohur me akuzën për paratë e përdorura për lobim në SHBA të cilat dyshohen se vijnë nga një kompani me pronarë rus.