Zgjedhjet në Kosovë, fituesit sipas Exit Poll-eve

KOSOVA


Sapo ka përfunduar orari ligjor i procesit të votimit në Kosovë, nuk kanë vonuar të dalin edhe rezultatet e Exit Poll-eve të para. RTK dhe Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, PIPOS, sapo kanë publikuar Exit Poll-in për epilogun e zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në bazë të këtij Exit-Polli fitues i zgjedhjeve del të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 28.1 për qind të votave, e ndjekur nga LDK me 27.9 për qind dhe PDK me 25.8 për qind. Udhëheqësi i institutit PIPOS, Fisnik Halimi, para prezantimit ka sqaruar mënyrën se si është realizuar ky Exit Poll.

Ai ka thënë se kjo është një teknikë e matjes së shpejtë të rezultateve, e cila realizohet përmes intervistave gjatë ditës, të cilat ky institut i merr menjëherë pasi qytetarët e kryejnë obligimin e tyre në vendvotime. “Kjo teknikë realisht është shumë e saktë, por i ka mangësitë e veta dhe duhet marrë me një dozë të vogël rezerve. Por ne, si PIPOS i kemi marrë të gjitha parapërgatitjet që marzhi i gabimit të jetë minimal dhe të pasqyrojë rezultatin ashtu siç do të jetë pas numërimit”, ka theksuar Halimi.

Një tjetër Exit Poll është realizuar nga Klan Kosova. Sipas Exit Poll-it të realizuar nga Klan Kosova, që nuk paraqet rezultatet zyrtare, partitë politike në vend, në këto zgjedhje, janë renditur LDK dhe Vetëvendosje me nga 30%, PDK me 22.28%, AAK-PSD me 10.58%, Nisma – AKR me 4.41% dhe të tjerat me 2.20%.



Skip to toolbar