Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën, në një konferencë për mediat pas mbledhjes dy ditore me kabinetin qeveritar, se Reforma Zgjedhore mund të bëhet edhe pa komision, teksa mori shembull parlamentet e vendeve fqinje, të cilat nuk e kanë të nevojshme të dakordësohet i gjithë Kuvendi.
Duke folur për këtë në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, deputeti socialist Arben Pëllumbi theksoi se konsensusi jo gjithmonë është i nevojshëm. Ai thotë se ka ardhur momenti që politika të sillet si e pjekur duke shtuar se opozita duhet të kuptojë se s’mund të imponohet me forcë.
“Politika pas 30 e ca vitesh me uljet e ngritjet e veta, me problemet dhe me nevojën për konsensus edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, mbërrin në një moment që duhet të sillet si e pjekur. Do të thotë se në një demokraci për sa kohë ka një maxhorancë dhe opozitë, jo gjithmonë konsensusi është i nevojshëm. Konsensusi duhet të jetë elementi i fundit dhe për këtë punë janë maxhorancat. Minoranca duhet të kuptojë se nuk mund të imponohen me asnjë lloje gjuhe force. Kur kemi një çështje të madhe me interes nga të dyja palët, në mënyrë automatike duhet të gjendet konsensusi. Për sa kohë kjo nuk është kuptuar siç duhet dhe gjithmonë është përdorur zgjidhja e ashpër janë detyruar të ndërhyjnë edhe ndërkombëtarët dhe të krijohet kultura e komisioneve bipartizane. Çka të detyron që për të bërë reforma të mëdha, qoftë dhe për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, ti ishe i detyruar që të bashkëpunoje me krahun tjetër. Kemi dy momente, e para të kemi një pjekuri tjetër sepse Shqipëria është pothuajse në BE. Ndërkombëtarët sot e dinë se çfarë pjekurie duhet të ketë klasa politike e një vendi që aspiron për pak vite të jetë në BE. Nuk mund të sillet si e papjekur dhe prapë të kemi nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare. Ky moment ka ardhur. Institucionet duhet të veprojnë.”, theksoi deputeti.
Ai shtoi se djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhje por së fundmi edhe qëndrimi i gabuar për non gratën e Sali Berishës ishte një kosto e madhe për PD-në.
“Kur një politikë e një vendi demokratik fillon dhe piqet, qëndrimet e forta dhe të ashpra nuk prodhojnë demokraci. Ne këtë e kemi diskutuar edhe me djegien e mandateve apo me mospjesëmarrjen në zgjedhje, që PD do të kishte një kosto për këtë. Pastaj qëndrimi i gabuar ndaj shpalljes non grata të PD, sigurisht që ka një kosto të madhe për PD-në. Përtej kësaj, edhe sikur të ishte forcë solide, sot nuk ka nevojë të kesh konsensuse të mëdha apo bipartizane kur të funksionojnë institucionet. Ashtu siç e tha Rama, komisioni bipartizan nuk është se është shkruar gjëkundi.”, shtoi Pëllumbi.