Prej 4 ditësh, Edison Oruqi, babai i tre fëmijëve, banues në lagjen “Kiras” në Shkodër, është zhdukur pa gjurmë. Ai ka qenë duke punuar në lumin e Shalës, kur ka humbur kontaktet me familjen. Zhdukja e tij është e mistershme për shkak se bashkëpunëtori i tij dhe familja thonë se Edisoni është parë për herë të fundit duke punuar në një bujtinë.
Skënder Pepkolaj, thotë se Edisonin e ka marrë vëllai i pronarit për të ngarkuar material për ndërtim dhe i ka thënë se do ta rikthejë të nesërmen. Pasi kanë kryer punën, ai i ka komunikuar se punëtorin e ka lënë në një ishull të vogël rëre.
Ka qenë vete Pepkolaj, i cili ka bërë denoncimin në polici për zhdukjen e Edisonit, i cili ishte ndihmësi i tij në punën në ndërtim. Policia e Shkodrës ka zhvilluar disa kontrolle në lumin e Shalës por ende pa asnjë rezultat.