Zhdukja e 2 mln eurove në Kosovë, sulm kibernetik

KOSOVA


Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi se tha transferimi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik. Deklarata në fjalë u bë gjatë një raportimi sot para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer paswordet”, tha Bajrami. Sipas saj, transaksioni prej mbi 2 milionë eurove, është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka.
Për këtë transaksion ka shtuar Bajrami, nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës.


“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka deklaruar ajo.
Lidhur më këtë rast Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar ndërsa dy të tjerë gjenden në arrati. I arrestuari është L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Veton Rrecaj, avokati i punonjësit të Thesarit të Kosovës tha se vendimi për masën e paraburgimit ndaj klientit të tij do të merret në ora 13:00. Ai pohoi se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar. “Prokuroria paraqiti arsyet apo thënë më mirë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”, ka thënë Rrecaj para gazetarëve.




Skip to toolbar