Kinemaja e re në qytetin e Gjirokastër është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes, por fatmirësisht flakët janë vënë shpejt nën kontroll nga ana e zjarrfikësve.
Godina ndodhet në zonën muzeale, ndërsa mësohet se zjarri ka rënë në pjesën e pasme të ndërtesës, në një dhomë të vjetër, që përdorej si magazinë. Nga ky zjarr mësohet se janë djegur dy dyer e dritare, por zjarrfikësit kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke evituar përhapjen e tyre brenda kinemasë. Pas vënies nën kontroll të flakëve kanë nisur hetimet për zbulimin e shkakut. Raportimet nga vendngjarja flasin për një zjarr aksidental, por nuk përjashtohet mundësia e zjarrvënies së qëllimshme, pasi mendohet se zjarri ka rënë jashtë dhe më pas flakët kanë përfshirë ambientet e brendshme. Megjithatë do të jenë hetimet e zjarrfikëseve, të cilat do të zbardhin detajet e kësaj ngjarje, që fatmirësisht nuk pati pasoja për kinemanë e re të qytetit.