Berisha paska frikë nga ligji

OPINION


Mero Baze

Sali Berisha u dënua sot nga një gjykatë në Tiranë, si shpifës. Kisha përshtypjen se do ta mbante veten dhe nuk do reagonte. Duke qenë se ai ka ndërtuar mekanizmin më të neveritshëm të shpifjes dixhitale këto gjashtë vite, duke legjitimuar çdo shpifje përmes postimit në Facebook-un e tij, mendova se do ta injoronte dënimin, duke menduar se ka më shumë rëndësi të duket i patrembur para ligjit, se sa të ankohet për dënimin.


Por në fakt, ai u ankua publikisht për dënimin, duke zbuluar dhe mekanizmin e alibisë që ka pasur në mendje kur ta gjykonin.

Ky është mekanizmi i burimeve false të tij, të cilave ai ka “të drejtë” t’u referohet. Mënyra se si Sali Berisha po tenton të mbrohet pas dënimit për shpifje, tregon se ai e ka të menduar mekanizmin e shpifjes dhe është përgatitur të ketë dhe alibi për këtë.

Sot ai tha se unë bëra koment, nisur nga një informacion në një medie. Medie quan Facebookun e tij, apo portale false, të cilat i furnizon me një fakt të gënjeshtërt, e pastaj bën komente për to.

Kjo tregon se përpara se ai të kthente në platformë politike shpifjen dixhitale, e ka menduar dënimin, por ngaqë askush se ka aplikuar ndaj tij këto vite, e ka legjitimuar atë si imunitet.

Por mbi të gjitha, kjo tregon se ky paska frikë nga ligji. Me aq mundësi financiare sa ka, me aq pushtet sa ka si lider opozite, dhe me aq papërgjegjshmëri sa ka dëshmuar, mendova se do ta injoronte vendimin.

Reagimi në fakt theu “mitin” e njeriut që nuk pyet për ligjin, liderit që nuk paraqitet në Prokurori, “denoncuesit” vulgar që nuk i trembet syri.

Ai sot është thjeshtë një i dënuar që përpiqet të na shpjegojë që nuk ka faj. Dhe këtu është në rrugë të drejtë.

Mund të vazhdojë të na tregojë arsyet e tij, edhe kur të gjykohet për 21 janarin, dhe kur të rihapet dosja e CEZ dhe rolit të djalit të tij në atë histori, edhe aferat e tjera korruptive gjatë qeverisjes së tij.

Është normale ta dëgjojmë si të pandehur dhe të respektojmë të drejtën e tij për të na shpjeguar që nuk ka faj.

Rëndësi ka, që e ka kuptuar se ka ardhur ora të bëhet avokat i vetes dhe të frikësohet nga ligji.




Skip to toolbar