Mbrëmjen e së premtes (sonte, 21 qershor), opozita do të zhvillojë në Tiranë protestën e radhës. Por ndryshe nga sa nisi kjo javë, me zjarr e sulme ndaj KZAZ-ve, protesta do të jetë paqësore. Të paktën kështu premtoi vetë kryetari i opozitës Lulzim Basha të enjten në mbrëmje, teksa deklaroi se ai vetë do të marrë pjesë në protestë së bashku me gruan dhe dy vajzat. Si për të dhënë garanci se nuk do të lejojë akte dhune.
Krejt ndryshe nga pamjet e së martës në Shkodër ku militantë të PD-së dhe punonjës bashkie i vunë flakën shkollës dhe materialeve zgjedhore për të kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.
Por çfarë e trembi Bashën? Pse u tërhoq lideri i opozitës nga sulmet me zjarr ndaj KZAZ-ve? Sigurisht që ndërkombëtarët.
Paraditen e së enjtes ai priti në zyrë ambasadorin britanik Duncan Normal me të cilin mësuam se ndenji jo pak por dy orë.
Megjithëse nuk pati asnjë reagim për mediat, me shumë gjasa palët kanë folur për situatën politike në vend dhe për thirrjen e pakompromistë të ndërkombëtarëve që t’i jepet fund akteve të dhunës.
Këtë e tha shumë qartë dhe ambasada amerikane mbrëmë në darkë. Në një deklaratë për mediat shumë pak minuta para se Basha të premtonte protestë paqësore, SHBA-të nxorrën deklaratën përmes të cilës i drejtuan gishtin organizatorëve të protestës që të mbajnë përgjegjësi për mbarëvajtjen e saj.
“Iu bëjmë thirrje organizatorëve të protestës së nesërme që të mbajnë përgjegjësi përballë po të njëjtave parime, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”, mbyllte deklaratën ambasada.
Siç duket Basha e lexoi dhe e kuptoi drejtë deklaratën e SHBA-së. Të presim a do ta mbajë premtimin sonte.