“Zogu i Tiranës” shfrytëzonte vajza, por dhe kryente vetë prostitucion

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka deklaruar zyrtarisht se ka arrestuar 28-vjeçarin Hermes Nikaj, i njohur si “zogu i Tiranës”, ndërkohë që bashkë me të në pranga kanë përfunduar dhe tre persona të tjerë. Policia e kryeqytetit, duke dhënë detaje mbi këtë operacion, hetimi për të cilin ka nisur rreth një vit më parë, tregoi se të arrestuarit rekrutonin femra dhe i shfrytëzonin për prostitucion, ndërkohë që Nikaj akuzohet edhe vetë për ushtrim prostitucioni.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Seksionin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi gati 1-vjeçar me metoda proaktive ka finalizuar me sukses operacionin “YOUR TURN”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm në fushën e shfrytëzimit dhe ushtrimit të prostitucionit.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, në ambientet e një hoteli në autostradën “Tiranë-Durrës“ janë arrestuar në flagrancë gjatë operacionit “Your Turn”, shtetasit Hermes Nikaj, 28 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prostitucionit”; A. Gj., 47 vjeç, banues në Mamurras-Kurbin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

Po ashtu, në kuadër të këtij operacioni më datë 09 nëntor 2019, janë arrestuar në flagrancë edhe

A. B., 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe A. N., 43 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Kanada, i dyshuar për “prostitucion”.

Në kuadër të këtij operacioni ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe për dy shtetase, 20 e 32 vjeçare banuese në Tiranë, të  dyshuara për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

Nga hetimet e deritanishme të kryera nga rezulton se shtetasi “zogu i Tiranës” siguronte femra të ndryshme për klientë të interesuar për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 10.000 deri 20.000 lekë për 2 orë.

Ndërsa shtetasja A. B., nëpërmjet qendrës së saj estetike fillimisht punësonte femra si kursante ose si parukiere dhe më pas i rekrutonte ato për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 500 deri në 700 Euro nata. 

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka pasur edhe shumë raste të tjera që shtetasit e lartpërmendur kanë dërguar femra në hotele dhe banesa të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe qytete të tjera, ku po punohet për dokumentimin e tyre. Policia tha se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2 fuoristrada të markës BMW, 10 celularë dhe një sasi lekësh, euro dhe dollarë.



Skip to toolbar