Meta merr lidershipin (dhe njerëzit) e opozitës: Nis “fushatën” më 8 dhjetor

AKTUALITET


Me anë të zëdhënësit Tedi Blushi, Ilir Meta njoftoi të dielën një lajm të pazakontë. Më 8 dhjetor, “Ditën e Rinisë”, Presidenti do të organizojë një tubim mbarëpopullor. Tubimi do të mbahet në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti, aty ku dhe nisi “Lëvizja Studentore e Viteve 1990, një tubim mbarëpopullor që synon Nisjen e një Dialogu me Shqipërinë. Shqipëria e Para”, shkruan zëdhënësi i Metës.

8 dhjetori është festë kombëtare, “Dita e Rinisë”, në nder të protestave të dhjetorit 1990 për rrëzimin e regjimit komunistit. Në fakt, organizimi i një tubimi nga Presidenti është i pazakontë, por jo kur e bën Ilir Meta, që tashmë na ka mësuar me lëvizje të pazakonta. Meta dëshmon se është “de facto” kryetar i opozitës dhe postin e Presidentit duket se po e përdor për aksionin opozitar.


Ndaj, në 8 dhjetor tubimi i Ilir Metës pritet të ketë simpatizantë të partive opozitare, pasi siç dihet presidenca është institucion mbi palët politike, e rrjedhimisht pa elektorat. Kjo lëvizje e Presidentit vjen në një moment kur sondazhet tregojnë se opozita ka pësuar rënie, e sidomos LSI, partia e themeluar nga Ilir Meta.

Por, me këtë organizim, Ilir Meta merr edhe rolin e lidershipit të opozitës, që prej gati 5 muajsh ndali protestat popullore. Ky tubim, që lajmërohet se do të shtrihet edhe në qytete të tjera, duket si nisja e një fushate elektorale. Madje, Meta ka gjetur dhe sloganin e “fushatës” së tij, “Shqipëria e para”. /Realstory.al/




Skip to toolbar