Tre liderët e shteteve të Ballkanit, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut angazhohen për krijimin e një zone të lirë ekonomike mes 6 shteteve si dhe ftojnë që edhe liderët e tjerë të bëhen pjesë e “Mini Shengenit” Ballkanik.
Në deklaratën e përbashkët të firmosur nga Rama, Vuçiç e Zaev shkruhet se palët angazhohen të forcojnë paqen, shtetin e së drejtës dhe nxitjen e reformave.
“Ne, të vetëdijshëm për përgjegjësinë për të formuar fatet e vendeve tona, angazhohemi të forcojmë paqen, barazinë, shtetin e së drejtës dhe prosperitetin për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm në Europën Juglindore. Duke njohur rëndësinë e perspektivës sonë të përbashkët të pranimit në BE dhe angazhimin e plotë për mbështetje, respekt dhe ndihmë të ndërsjellë në rrugën europiane. Ne ftojmë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të na bashkohen në këtë përpjekje. Duke shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të gjeneruar rritje ekonomike, për të ulur papunësinë, për të luftuar migracionin e paligjshëm, për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe për të përmirësuar mirëqenien sociale të qytetarëve tanë si dhe për të rritur tregtinë, investimet dhe punësimin në zonën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke përsëritur angazhimin për të realizuar Zonën Ekonomike Rajonale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bazuar në gjithëpërfshirjen dhe në parimet e BE-së për “Katër Liritë”: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit”, shkruhet në deklaratën e përbashkët.
Liderët e Ballkanit theksojnë se BE ka qenë shtytësja kryesore e transformimit të gjithë rajonit, që nga koha kur u premtua ky zgjerim. “Në pritje të anëtarësimit në BE, vetë rajoni kërkon menjëherë një shtytje të konsiderueshme të rritjes. Prandaj, liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë më shumë të angazhuar në nxitjen e potencialit të zhvillimit që është akoma i pashfrytëzuar në Ballkan”, shkruhet në deklaratë.
Sipas nismëtarëve të “Mini Shengenit” drejtuesit e rajonit duhet të marrin përgjegjësinë për të formuar të ardhmen e rajonit dhe të bëjnë politika që synojnë të sigurojnë lëvizjen e lirë të kapitaleve njerëzore dhe materiale. “Kjo është thelbësore jo vetëm për ta bërë rajonin më të integruar, por edhe në nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Procesi i integrimit evropian kalon nëpërmjet procesit të bashkëpunimit rajonal. Të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pavarësisht kësaj, boshllëqet strukturore midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbeten të konsiderueshme. Kjo tregon se liderët e Ballkanit Perëndimor përballen me një nevojë urgjente për të trajtuar këtë çekuilibër strukturor, që shumë lehtë mund të shndërrohet në pengesë për t’u anëtarësuar në BE në plan afatgjatë. Për më tepër, çështjet e pazgjidhura brenda Ballkanit Perëndimor po pengojnë zhvillimin ekonomik dhe ulin cilësinë e jetës së qytetarëve të saj”, shkruhet në deklaratë.
Liderët e shteteve të Ballkanit angazhohen në këtë deklaratë të përbashkiët që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare për mallrat dhe njerëzit dhe të krijohet një treg i përbashkët dhe i unifikuar.
“Si hap i parë, ne angazhohemi të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më larg se viti 2021. Njerëzit do të jenë në gjendje që të udhëtojnë në rajon me një kartë identiteti të vlefshme. Do të jenë në gjendje që të punojnë kudo në rajon, sapo të kualifikohen për një vend pune. Diplomat do të njihet në gjithë rajonin. Ne do të shtojmë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe zotohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin duke iu përgjigjur urgjencave të tilla si katastrofat natyrore. Kjo është një iniciativë e guximshme dhe ne do të punojmë për arritur rezultate dhe solidaritet praktik, që qytetarët tanë të kenë përfitime. Për këtë qëllim, ne do të takohemi sërish në Ohër, më 10 nëntor”, përfundon deklarata e përbashkët e Ramës, Vuçiç dhe Zaev./reastory.al