Shqipëria “përçan” BE

AKTUALITET


Një lajm i shpërndarë nga Reuters dhe më pas marrë nga Euronews, njofton se Franca është kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian tani për tani. “Franca u tha vendeve anëtare të Bashkimit Europian këtë javë se ishte kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani, thanë burime diplomatike për Reuters”, shkruan Euronews, duke cituar Reuters që bisedoi me një diplomat, që mbetet anonim.

Në shkrim thuhet se “më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare të BE-së, si dhe zyrtarët e saj të lartë në Bruksel, po përpiqen të shpërblejnë të dy shtetet e Ballkanit për reformat duke rënë dakord për të filluar bisedimet e pranimit. Ata parlajmërojnë, se Rusia, Kina ose Turqia do të përfitojnë nga një “vakum strategjik” në rajonin e trazuar, nëse BE nuk arrin të mbajë një perspektivë të prekshme për këto vende”.


Më tej, thuhet se “Franca thotë se BE duhet të reformohet nga brenda së pari për të përballuar me forcë dhe unitet sfida si ndryshimi i klimës dhe migracionit, ndërsa dy vendet kandidate duhet të kryejnë reforma të mëtejshme përpara se të fillojnë bisedimet”. “Ata nuk janë ende gati. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje shtesë”, është shprehur një zyrtar francez për Reuters, citon Euronews. “Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, do të duhet të rivlerësojmë situatën diku në vitin 2020”, mësohet të jetë shprehur zyrtari francez.

Ndërkohë, një diplomat i një vendi që është gati të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut, tregon se nëse negociatat nuk do të hapen, besueshmëria e BE-së vihet në diskutim. “Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të pranohen”, citon Reuters, diplomatin e vendit që është gati t`i thotë “po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.




Skip to toolbar