Mosmarrëveshjet shënuan ditën e parë të samitit të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg në lidhje me hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërsa pritet të merret një vendim final në lidhje me zgjerimin, thekson Reuters.
Ministrat e BE nga 28 shtetet e bllokut u takuan në Luksemburg për të diskutuar fillimin e negociatave formale të anëtarësimit me të dy vendet e Ballkanit një vit pasi Franca dhe Holanda e bllokuan atë, duke kërkuar më shumë reforma nga frika e shqetësimit të parlamenteve dhe votuesve të tyre. Maqedonia e Veriut që prej asaj kohe ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Greqinë e BE-së, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të emrit dhe duke bërë që një duzinë shtetesh të BE të bëjnë publike thirrjen për shpërblimin e Shkupit.
Në rrezik është edhe besueshmëria e BE-së dhe vullneti i bllokut për të vepruar kundër asaj që e sheh si një ndikim në rritje të Rusisë dhe fuqive të tjera të huaja në rajon. Por diplomatët që përgatitën takimin e Luksemburgut nuk arritën të gjejnë një marrëveshje të hënën mbi një deklaratë të përbashkët ligjore, e cila ka nevojë për mbështetjen unanime të të gjitha shteteve të BE-së që të miratohet. “Ka pasur një mosmarrëveshje masive dhe nuk është aspak e sigurt se këtë të martë ministrat do të jenë në gjendje të gjejnë një marrëveshje”, tha një diplomat i BE.
Mosmarrëveshjet vazhduan në draftin e fundit të tekstit, duke përfshirë aty ku duhej të shkruhej se zgjerimi do të varet gjithashtu nga aftësia e BE-së për të reformuar veten dhe për të integruar në mënyrë efektive çdo anëtar të ri. Drafti i fundit – por ende i diskutueshëm – i cili u pa nga Reuters, do të shtyjë çdo vendim mbi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në tetor pasi parlamenti gjerman të shqyrtojë çështjen.