21 vite burg vrasësit të biznesmenit Dervishajt, u vra për prishje pazaresh

AKTUALITET


Vrasja e Vasil Dervishajt në muajin qershor 2018 në qytetin e Vlorës, ka sjellë dënimin e katër personave që janë marrë të pandehur nga prokuroria për këtë krim të rëndë. Njeriu kryesor që ka qëlluar mbi Dervishajn dhe e ka lënë të vdekur në vend, është Ergest Avdiu, i cili është dënuar me 21 vite burg, masë dënimi kjo sa kishte kërkuar në pretencën e tij dhe prokurori i çështjes Aurel Zarka. Ndërkohë, dënimit nuk i kanë shpëtuar dhe tre personat e tjerë që momentin e krimit ndodheshin me autorin Ergest Avdiu. Gjykata ka vendosur dënimin me 2.5 vite burg për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” të pandehurit Amarildo Grëmbi, Andi Çaushi dhe Donel Shkurti. Për sa i përket të pandehurit tjetër Nekid Arapi, për të cilin prokuroria e Vlorës ka ngritur akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”, gjykata ka vendosur pushimin e ndjekjes penale.

Por prokurori i çështjes ka apeluar këtë vendim pushimi dhe gjykata e Apelit, ka kthyer për gjykim në shkallën e parë çështjen penale kundër Nekid Arapit, ku momentalisht vijon të jetë në fazën e gjykimit. Sipas Shqiptarja.com vrasja e Vasil Dervishaj, pronarit të një lokali të quajtur “Kafe Gimoka” në Vlorë, e ka zanafillën në prishjen e pazareve për një biznes shit-blerje makinash në Fier, konflikt i cili më pas ka agravuar deri në ngacmimin e femrave, duke sjellë me pas dhe vrasjen e Vasil Dervishit. Dervishaj ishte vënë në dijeni nga gruaja e tij, Anisa, se ishte ngacmuar dhe kishte debatuar në rrugë me Ergest Avdiun. I nxehur nga kjo situatë, Vasil Dervishaj ka dalë nga shtëpia dhe është larguar me shpejtësi, ku dhe është konfliktuar me disa persona, që deri në ato momente për të nuk kanë qenë të njohur dhe as kishte komunikuar ndonjëherë me ta, qoftë dhe në telefon. Por pa kaluar shumë nga ky sherr të dyja palët si Ergest Avdiu dhe Vasil Dervishaj, përgatiten për një sulm me armë kundër njëri-tjetrit.


Prokuroria ka ngritur dyshime se dhe viktima Dervishaj ka pasur armë në këtë ngjarje, pasi jo shumë larg makinës së tij, është gjetur një armë kallashnikov, ende e papërcaktuar se kujt i përket, por dyshimet e prokurorëve janë se arma automatike dyshohet se ka qenë e viktimës. Ngjarja e rëndë është shënuar në 4 qershor 2018, ku rreth orës 22:35 në lagjen “Pavarësia” në Vlorë është raportuar se kishte të shtëna me armë dhe një person kishte mbetur i vrarë në vend. Pas shkuarjes së policisë në vendngjarje është konstatuar se personi i vrarë ishte Vasil Dervishaj. Ndërkohë nga analizimi i disa provave ka rezultuar se një person ka qëlluar mbi të dhe ai është Ergest Avdiu. Ky i fundit pas ngjarjes i ndihmuar edhe nga persona të tjerë, ka mundur të largohet.




Skip to toolbar