250 pasgoditje të tërmetit! Bilanci zyrtar: 22 viktima, 45 të shpëtuar

AKTUALITET


Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë një bilanc të situatës së vështirë të krijuar në zonat e Durrësit, Thumanit dhe Tiranës, për shkak të tërmetit me magnitudë 6.3 që ra në orën 03:55 të mëngjesit të së martës. Xhaçka ka dhënë shifrat zyrtare në lidhje me viktimat dhe të shpëtuarit nga rrënojat e tërmetit. Deri në orën 18:30 raportohet se janë 22 viktima, trupat e të cilëve janë nxjerrë nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë. Ministria e Mbrojtjes njofton se janë shpëtuar 45 persona ndërsa mbi 600 persona janë lënduar dhe paraqitur në qendrat spitalore. Pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 6.3 është shoqëruar me 250 pasgoditje të tjera, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të mos hynë në banesat e dëmtuara pa u inspektuar nga njësite e specializuara.

“Dëmet janë të mëdha, këtë e dimë. Ky ishte tërmeti më i fortë që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979 dhe goditja e mëngjesit të sotëm  është shoqëruar nga 250 pasgoditje, të cilat sipas ekspertëve sizmologë pritet të vijojnë, shpresojmë me intensitet me te ulet siç është trendi, deri ne stabilizimin e pllakave tektonike. Dua të përsëris edhe një herë apelin, për çdo qytetar, banesa e të cilit është dëmtuar: bëni kujdes e mos hyni në banesa, pa u bërë më parë inspektimi nga njësitë e specializuara.


Deri në orën 18.30 minuta raportohet se 22 persona kanë humbur jetën në prefekturën Durrës, saktësisht në Durrës dhe Thumanë si pasojë e shembjes së godinave. E theksoj se ky bilanc tragjik mbetet ende për tu konfirmuar zyrtarisht nga strukturat përkatëse te shëndetësisë dhe rendit sipas protokollove të ekspertizës përfundimtare. Në godinat e shembura vazhdon puna e kërkim shpëtimit, pasi një numër qytetarësh rezulton të jenë ende të bllokuar ndërkohë që për disa të tjerë nuk ka raportime nëse janë ndodhur apo jo në banesa, në momentin e lëkundjeve të tokës. Falë ndërhyrjeve të ekipeve të specializuara, 45 persona kanë mundur të shpëtohen duke u nxjerrë nga rrënojat e duke u dërguar për ndihmë mjekësore. Rreth 600 banorë janë lënduar dhe kanë marrë ndihmën pranë spitaleve apo qendrave shëndetësore. Mësimi sot në të gjitha shkollat, universitetet, kopshtet e çerdhet është pezulluar dhe do të vazhdojë i pezulluar edhe nesër ndërkohë qe qeveria pak minuta me pare e shpalli 27 nëntorin dite zie kombëtare në respekt të jetëve të humbura.

2 mijë efektivë të Forcave të Armatosura (efektivë xhenio, forcat speciale e ato komando), 1 900 efektivë të Policisë së Shtetit janë në terren dhe gatishmëri të plotë, bashkë me ekipet e zjarrfikësve të bashkive, dhjetëra ekipeve mjekësore dhe qindra qytetarë te cilët janë angazhuar në terren dhe janë në gatishmëri të plotë, për të bërë të mundur nxjerrjen dhe shpëtimin e personave të bllokuar në rrënoja apo ngritjen e çadrave dhe strehimin e familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar.

Prej disa orësh, ekipeve tona të kërkim shpëtimit, të cilat po punojnë pa ndërprerje në Durrës e Thumanë,  i janë bashkuar mbi 200 efektivë, ekspertët më të mirë të emergjencave civile të ardhur nga Italia, Greqia, Franca, Turqia, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Rumania. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Zyrës Rajonale të Asistencës për Fatkeqësitë Natyrore do të asistojnë nevojat në terren. Faleminderit partnereve për solidaritetin!

Paralel me operacionet e kërkim shpëtimit që do të vazhdojnë edhe gjatë natës, që prej prej mesditës së sotme, pranë stadiumit në Durrës dhe fushës së sportit në Thumanë nisi ngritja e 300 çadrave për strehimin e afro 1 mijë banorëve.

Gjithashtu Shtëpia e Pushimit të Ushtrisë në Durrës me kapacitet 200 persona është në dispozicion të banorëve në vështirësi.

Janë 90  palestra në Tiranë, Durrës, Krujë e Lezhë te cilat po përshtaten për te akomoduar familjet e pastreha ne rast nevoje.

Krahas kapaciteteve akodomuese të siguruara nga pushteti vendor dhe ai qendror, janë shume hotele në Vlorë, Durrës e Tiranë te cilat, ne shenje solidariteti, kanë ofruar strehim e trajtim për çdo bashkëqytetar në vështirësi” thuhet në njoftimin e ministrisë.




Skip to toolbar