Sinkron me Metën, opozita fillon rezistencën nga bashkitë

Më të fundit


Dekreti i Presidentit Meta nuk e ka qetësuar krizën politike, por e ka thelluar dhe më tej, duke e kthyer në një “luftë” institucionale mes presidentit, qeverisë dhe pushtetit vendor, ku opozita, në sinkron me Metën, ka bërë të premten një lëvizje të fortë kundër zgjedhjeve më 30 qershor. Lëvizja është kryer nëpërmjet kryetarëve të bashkive që janë zgjedhur në siglën e opozitës, duke ushtruar presion ndaj KZAZ-ve dhe KQZ-së, që të lirojë ambientet, ku janë depozituar materialet zgjedhore dhe janë instaluar zyrat e KZAZ-ve dhe paralajmëruar kështu se në bashkitë drejtuara nga opozita nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor.

Dy bashkitë e para që kanë bërë kërkesë për lirimin e ambienteve janë Bashkia Kukës dhe Bashkia Mat, të dyja të drejtuara nga kryetarë të zgjedhur me mbështetjen e PD. Më vonë, listës i janë bashkuar edhe Bashkia Gjirokastër, Skrapar dhe Dropull, që i përkasin LSI-së. Pasdite, listës së bashkive të opozitës u janë bashkuar bashki të tjera, si Shkodër, Kamëz, Delvinë, Tropojë, Kavajë, Përmet, Lezhë , Peqin, Prrenjas dhe Rrogozhinë.

Sipas shkresave të nxjerra nga këto bashki, rezulton se kryetarët respektivë, kërkojnë që në zbatim të dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, të bëhet lirimi i menjëhershëm i ambienteve të KZAZ-ve dhe heqja e listave përfundimtare të zgjedhësve të publikuara dhe të afishuara në institucionet arsimore pranë bashkive. Vihet re të gjitha kërkesat e kryeatearëve të bashkive të opozitës, PD, LSI dhe PDIU, janë njëlloj, pa asnjë ndryshim në pikë e presje, që të lë të mendosh se teksti ka shkuar copy-paste nga zyrat qendrore të opozitës.

Kjo lëvizje vjen pas veprimit të KQZ, që nuk mori në konsideratë dekretin e Presidentit Meta, duke e cilësuar akt nul, ashtu siç e ka cilësuar edhe mazhoranca. Këto shkresa i janë dërguar për dijeni edhe KQZ-së, ndërkohë që me këtë veprim paralajmërohet se bashkitë e opozitës mund të kryejnë veprime arbitrare për të hequr listat zgjedhore dhe për të prishur procesin, duke u bazuar në dekretin e Presidentit.

Nga ana tjetër, veprimet e opozitës nëpërmjet kryetarëve të vet të bashkive, kanë qenë të koordinuara me veprimet e Presidentit Meta, që të premten ka dhënë sinjalin për nisjen e procedurave për shpërndarjen e parlamentit. Meta i ka drejtuar letër Komisionit Qendror Zgjedhor, ku kërkon që t’i vihet në dispozicion informacion i detajuar se sa është numri aktual i deputetëve në Kuvend, si dhe kërkon listën emërore të deputetëve aktualë në Kuvend, cilës bashki i përkasin dhe cilit subjekt parlamentar.

Po ashtu, Meta theksoi për mediat se dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është në fuqi dhe ata që nuk e respektojnë atë do të vuajnë pasojat që do të provokojnë destabilitet në vend.

Për këto veprime, kryeministri Rama kishte paralajmëruar Metën që të enjten që të lexojë mirë rezolutën, ku një ndër pikat e saj është edhe mundësia për shkarkimin e presidentit.



Skip to toolbar