Akuzat e PD-së drejtuar ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për faturat e kripura në hotele jashtë shtetit janë përsëritur të premten në mbledhjen e komisionit të Ligjeve ku e pranishme ishte dhe vetë ministrja.
Deputeti i opozitës së re Andi Përmeti, ndërsa diskutonte për ndryshimet në Kodin Penal përmendi faturat prej 700 euro të ministres dhe tha se kjo duhet të jetë pjesë e Kodit për të mos lejuar abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Ndryshimet në Kodin Penal kanë qenë ndryshime pozitive. Është bërë një pune e madhe për një kod i cili s’ka lidhje me politikën. Unë personalisht kam propozuar disa ndryshime, përmirësime të neneve, të diskutuara me Znj. Xhina dhe Znj. Hysi. Unë besoj që është bërë një pune e mirë për të rritur mbrojtjen juridike ndaj qytetarëve shqiptar. Por për të qenë i sinqertë dhe në rregull me ndërgjegjen time po të kthehesha pas do te bëje edhe një tjetër propozim, do te propozoja: Shpërdorimin për luks të parave publike në rastet kur një person që ushtron funksione publike zgjedh të paguaj 700 euro nata në një hotel nga taksat e shtetit me të varfër në botë. Kaq i detyrohemi taksapaguesve?”, është shprehur Përmeti.
Menjëherë ka ndërhyrë Gjonaj e cila i ka kërkuar deputetit të mos bjerë pjesë e lajmeve të rreme.
“Ftoj Përmetin të mos bjerë pre e lajmeve të rreme. Përmeti të ftoj të bëhesh pjesë e grupit të punës për Kodin Penal dhe të japësh rekomandimet”, është shprehur Gjonaj.
Më herët ministrja ka sqaruar se akuzat e PD-së janë të pavërteta dhe se fatura prej 700 euro nata nuk ishte vetëm për të, por për të gjithë stafin e ministres që kishin marrë pjesë në një aktivitet jashtë shtetit.