Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku deklaron se akuzave të PD për shpenzimet e kryera gjatë vizitave jashtë vendit do iu përgjigjet nëpërmjet institucioneve të drejtësisë, ku ka dorëzuar gjithë provat e mundshme. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, duke mohuar të ketë abuzuar me detyrën, ai theksoi se për këtë çështje ka dorëzuar të hënën dokumentet dhe provat në Prokurori, ndërsa në përfundim të hetimeve akuzuesit do të mbajnë përgjegjësi.
“Besoj që është gjëja më e duhur për të bërë, të gjithë baltës dhe fake news është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur përmes institucioneve të drejtësisë, të cilat do të bëjnë transparencë për publikun. Shpjegimet i kam bërë dje në prokurori me prova dhe me fakte. Unë kam zgjedhur të mbetem institucional. Kushdo që është bërë pjesë e baltës dhe të pavërtetës duhet të mbajë përgjegjësi pas daljes së të vërtetës. Rruga që kam ndjekur është ajo e drejtësisë. Unë besoj se kemi të bëjmë me ato raste që i mbyturi kërkon të kapet pas një fije kashte”, tha Mazniku.
Numri dy i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe te dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit. Sipas tij, Bashkia e Tiranës me institucionet përkatëse, po vijon punën në terren për të dokumentuar dhe riparuar të gjitha dëmet e shkaktuara. Mazniku falënderoi vendet që kanë shprehur solidaritet dhe kanë ofruar ndihma për qytetarët e Tiranës.
Të hënën, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku është paraqitur në prokurori të dëshmojë në lidhje me akuzat e PD-së për pagesën prej 900 euro nata të hotelit në Barcelonë. Për rreth 1 orë Mazniku dha dëshminë e tij në Prokurori dhe në një prononcim për mediat u shpreh se “e vërteta do të triumfojë mbi fake news”.
“Duhet t’i japim drejtësisë informacion të saktë. Do i jap informacion prokurorisë për baltëhedhësit dhe fake news-et. Më vjen mirë që erdha në prokurori të them të vërtetën, pasi e vërteta do të dalë nga prokuroria, unë nuk dua të komentoj”, deklaroi Mazniku. Prokuroria ka nisur hetimet pas denoncimeve nga Partia Demokratike se “pronari dhe administratori i Fusha shpk ka paguar hotelin 908 euro nata (në Barcelonë) për nënkryetarin Mazniku.”