Ardjan Çapja është arrestuar mëngjesin e sotëm në Elbasan. Policia ka shpallur në kërkim edhe Florenc Çapjan. Ata akuzohen se në vitin 2012 në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë, Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri, babë e bir.
Në qershor të vitit 2020, Çapja i shpëtoi mrekullisht një atentati që iu bë në vilën e tij në Kodër Krastë të Elbasanit.
Kjo ngjarje është ende e pazbardhur ndërsa dyshohet se erdhi për shkak të një zinxhiri hakmarrjesh mes Çapjave dhe disa grupeve të tjera në Elbasan, të cilat kanë zënë fill që prej vitit 2005 kur u ekzekutua në lokal vëllai i Ardjan Çapjas, Sokoli.
Ky është atentati i dytë që iu bë Ardian Çapjes, pasi në 6 gusht 2017 atë tentuan ta vrisnin me anë të një predhe e cila nuk shpërtheu.
Gjithashtu, Ardjan dhe Florenc Çapja akuzohen edhe për vrasjen ish-oficerit të Policisë Fadil Mema. Florenc Çapja është arrestuar, ndërsa është liruar më vitin 2019 për mungesë provash.
Vrasja e Fadil Memës erdhi pas ekzekutimit të Sokol Çapjas në 2005. Në këtë vit nis edhe saga e vrasjeve të njëpasnjëshme.
Në vitin 2012, Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjes, u ekzekutua, ndërsa ishte lënë në arrest shtëpie. Në mars 2015, në Torino të Italisë, u ekzekutua Fadil Mema. Ish-polici i cili jetonte duke shitur gazeta, teksa kthehej në shtëpi u qëllua 14 herë me armë zjarri më 13 mars 2015. 7 plumba e goditën në trup duke i marrë menjëherë jetën Fadil Memës.
Ndërsa një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjarë të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi një atentat i rëndë që njihet si “masakra e Elbasanit”, ku dy persona të armatosur hapën zjarr duke lënë të vrarë 3 persona, mes të cilëve edhe Agron Çapjan. Ndërsa në prill të 2016-s ekzekutohet në një hotel në Tiranë shtetasi Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës.
Sakaq, në qershor 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë pasi dyshonin se do të kryenin atentat ndaj tyre.