Ambasadori italian, Alberto Cutillo është shprehur nga Shkodra ku ka zhvilluar një takim me të rinjtë, se “shtyrja e vazhdueshme e zgjedhjeve do të ishte një varr më i keq se gropa”. Ai ka zgjedhur kështu një shprehje popullore italiane për t’i dhënë përgjigje pyetjes nëse duhet të shtyhen zgjedhjet e 30 qershorit. Më tej, diplomati italian deklaroi se zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të shtyhen pa pasur një marrëveshje dhe sigurisht që kjo do të sillte dhe ndryshimin e Kushtetutës.
“Është e qartë se zgjedhjet sikur ne i imagjinojmë apo janë zhvilluar, janë zgjedhje që të gjitha partitë politike që pretendojnë se kanë elektoratin e tyre, parti që kanë zë të shprehen dhe mbështetjen e zgjedhësve të tyre, prezantojnë listat dhe më pas kush merr më shumë vota është fitues. Në Shqipëri kemi mbërritur në një situatë komplekse ku disa parti që të paktën në dukje kanë mbështetje të fortë politike kanë vendosur të mos futen në zgjedhje. Në këtë pikë rregullat kanë devijuar dhe nuk mund të thuhet çfarë është më logjike, te zhvillohen zgjedhje apo te shtyhen çka do të sillte ndryshime në ligj dhe Kushtetutë. Ndryshimi i dytë mund te jetë gjetja e një akordi e një marrëveshje, por në dijeninë time deri tani nuk ka, prandaj të shtysh zgjedhjet pa arritur në një marrëveshje mund të sillte probleme më të mëdha pasi sjell ndryshimin e Kushtetutës, duke lejuar kështu shtyrje të vazhdueshme të zgjedhjeve dhe italianët e quajnë ‘një varr më të keq se gropa’ por nuk janë sugjerime që më takojnë mua t’i bëj”, tha ambasadori italian Cutillo.
Paralajmërimi i ambasadorit Cutillo ka shpjegim vetëm nëse i drejtohet një adrese: Presidentit të Republikës. Në bazë të Kushtetutës, kreu i shtetit mund të shtyjë datën e zgjedhjeve, “vetëm nëse palët bien dakord”. Pikërisht kësaj i referohet Cutillo kur flet për ndryshim date, pra vetëm me marrëveshje mes palëve. Po pse vjen ky paralajmërim i fortë i ambasadorit italian?!
Një burim pranë Presidentit të republikës i tha www.realstory.al se kreu i shtetit po mendon të nxjerrë një dekret të dyte pa pyetur mazhorancën.
Një vendim i tillë, ndërkohë që fushata për 30 qershorin ka filluar dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar atë, do ta fuste vendin në një tjetër cikël të frikshëm krize. Mesa duket këtë po mundohen të parandalojnë ndërkombëtaret, me këtë mesazh të ambasadorit italian në vendin tonë, drejtuar vetëm një personi, Ilir Metës.