Cutillo për RealStory: Dialogu, përgjegjësi e palëve. Opozita të jetë e arsyeshme

Më të fundit


Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo ka deklaruar se tashmë qeveria dhe opozita duhet të kalojnë në fazën dy, atë të dialogut. I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Cutillo tha se duhet të ketë përpjekje reale si nga qeveria ashtu edhe opozita për tu ulur në tryezën e  dialogut. Qeveria tha Cutillo nuk duhet të rrijë vetëm në deklarata të përgjithshme disponibiliteti, por t’i propozojë opozitës një platformë për të rinisur përpjekjet dhe diskutimet mbi reformat e rëndësishme për vendin. Ambasadori italian, nuk la pa përmendur edhe opozitën duke thënë se tashmë ajo duhet të tregohet e përgjegjshme dhe e arsyeshme dhe të tregohet e vendosur për të negociuar.

“Pa favorizuar njërën palë ndaj tjetrës, mendoj se në këtë pikë, qeveria duhet të tregojë pjekuri për t`u hapur ndaj dialogut. Jo me deklarata të përgjithshme disponibiliteti, por duke i propozuar opozitës një platformë të saj për të rinisur një përpjekje kombëtare për reformat… Do t`i këshilloja opozitës të jetë e arsyeshme. Opozita ka bërë disa beteja ekstreme, sidomos për mënyrën se si janë realizuar. Nuk më takon mua të vlerësojë, nëse janë bërë mirë apo keq, por është një periudhë për t`u  treguar të vendosur dhe për të negociuar. Unë mendoj se tani kemi mbërritur në fazën e dytë, natyrisht kjo do të varet shumë dhe nga qeveria.” – tha Cutillo


Ambasadori Cutillo gjithashtu kërkoi një tryezë të gjerë dhe reformiste për diskutimin e temave më të rëndësishme.

“Temat që duhet të diskutohet, disa mund të imagjinohen, sepse kanë qenë pjesë e diskutimeve prej muajsh. Flitet për Reformën Zgjedhore, që është shumë e rëndësishme, por unë do të preferoja një tavolinë sa më të gjerë. Kështu që duhet të shkojmë drejt një fryme reformiste. Gjithçka që duhet të reformohet në këtë vend, duhet të jetë e përbashkët. Pra duhet të gjejë qasjen e të gjitha forcave politike. Pastaj, diku mund të gjendet një marrëveshje e plotë, diku mund të ketë dhe mospërputhje, por është shumë e rëndësishme që të gjenden pikat e përbashkëta. Prandaj unë nuk do të doja të caktoja një axhendë të reformave, por dua të përsërisë se kemi një objektiv shumë të madh përpara, integrimin evropian dhe të gjitha hapat që kjo kërkon.”  – tha Cutillo për emisionin “Real Story”




Skip to toolbar