Greva në Rinas, Rama -Metës: Je një nga dy nxitësit e goditjes së çmendur

Më të fundit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta për reagimin dhe qëndrimin e këtij të fundit për grevën e kontrollorëve në Rinas që ka bllokuar gjithë trafikun ajror shqiptar.

Rama thotë se Meta bën predikime, teksa është një nga dy nxitësit e kësaj goditje të çmendur bashkë me Sali Berishën.

Ai thotë se Meta  është në kërkim të palodhur të rrëzimit të qeverisë e shtetit, por duhet t’i harrojë të dyja këto.

STATUSI NGA EDI RAMA

Ilir,dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë!Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit!T’i harrosh të dyja!

Më herët Presidenti Ilir Meta theksoi se ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje, pasi sipas tij, “Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare”.

Me tone të ashpra, Presidenti deklaron se “Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar”.

Reagimi i Metës:

Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre.
Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje.
Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.
I kam paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të Qeverisë se duhet të merrnin masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë.
Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gadishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që:
📌- Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar;
📌- Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare;
📌- Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurtë për fluturimet ajrore;
📌- Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.
Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare. 🇦🇱



Skip to toolbar