Kosovë, 101 raste të reja me koronavirus, 4 viktima

CORONAVIRUS


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar të hënën në Kosovë katër viktima me koronavirus. “Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (82 vjeç), Prizren 1 rast (63 vjeç), Suharekë 1 rast (59 vjeç), Vushtrri 1 rast (78 vjeç)”, është thënë në njoftim.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 101 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 2,052 mostrave. IKSHPK-ja ka njoftuar se më 3 maj janë shëruar 421 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 7,983.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 105,636 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,187 kanë vdekur.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.



Skip to toolbar