Pas ceremonisë përkujtimore të zhvilluar në Britani, të enjten Kryeministrja britanike Theresa May dhe presidenti francez Emmanuel Macron u janë bashkuar ceremonive që do të zhvillohen në Normandi të Francës për të kujtuar 75 vjetorin e D-Day, që quhet dita e zbarkimit të aleatëve në Normandi për të luftuar nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
BBC raporton se kryeministrja May dhe presidenti francez po marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të një përkujtimoreje për të nderuar trupat britanike që vdiqën në Betejën e Normandisë.
Më vonë, Donald Trump do të bashkohet me Macron në varrezat e luftës amerikane në Omaha Beach.
D-Day ishte fillimi i çlirimit të Evropës perëndimore të pushtuar nga nazistët.
Qindra veteranë janë mbledhur në Normandi për përvjetorin e operacionit më të madh ajror dhe detar në histori.
Aktivitetet e ditës përkujtojnë ngjarjet kyçe në operacion, i cili filloi më 6 qershor 1944.