Dy ministrate kabinetit Rama, Gjonaj dhe Lleshaj kanë vijuar takimet zyrtare me deputetët e Bundestagut në Gjermani, ku gjatë njohjes së progresit të Shqipërisë, kanë deklaruar se hapja e negociatave dhe anëtarësimi në BE e shtyjnë Shqipërinë edhe më shumë drejt vazhdimit të reformave.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilluan takime me deputetët e Bundestagut Gjerman, Johann Wadephul, Anëtar i Komitetit për Punët e Brendshme dhe i Komitetit për Çështjet Evropiane në Bundestag, Joaschim Falenski, Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i Partisë CDU dhe Christian Schmidt, Reporter për Shqipërinë në Bundestag.
“Lufta ndaj korrupsionit, si një nga prioritetet kryesor të qeverisë shqiptare në shërbim të interesit më të lartë të qytetarëve shqiptar, ka arritur deri tani rezultate shumë të kënaqshme vlerësuar edhe në Progres raport dhe anëtarësimi në BE do të shërbente si një shtysë e mëtejshme për vazhdimin e këtyre reformave”, tha ministrja e drejtësisë.
Ndërsa ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se progresi i arritur nga Shqipëria vitet e fundit i atribuohet reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Kjo është arsyeja pse hapja e negociatave do të ishte një shtysë akoma më e madhe që të vazhdohet nxitja e tyre”, u shpreh Lleshaj.
Ministri i Brendshëm gjithashtu theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të lartë në luftën kundër krimit të organizuar duke prezantuar shifrat e larta të numrit të grupeve kriminale të kapura gjatë kësaj kohe në Shqipëri.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e Bundestagut vlerësuan arritjet e reformave të ndërmarra nga Shqipëria gjatë kësaj kohe, duke nxitur dhe inkurajuar më tej vazhdimësinë e tyre në këtë kohë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE.
Në përfundim të takimit duke falënderuar ministrat shqiptarë për prezantimin e rezultateve të reformave në vend, përfaqësuesit gjerman u shprehën se bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë më tej dhe Gjermania është e gatshme që të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj për anëtarësimin në BE.