SPAK përfundon hetimet dhe i dorëzon gjykatës dosjen penale ndaj vëllezërve Duka dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tyre kriminal që ekzekutuan Santiago Malkon mbrëmjen e 27 gushtit 2019.
Të pandehur për vrasje me paramendim janë marrë Leonard Duka, i vëllai Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni, Dritan Aga. Prokuroria thotë se motive I vrasjes është përplasja e dy grupeve kriminale që ishin të rivalitet për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Nga njëra anë vëllezërit Duka e njerëzit e tyre, dhe nga ana tjetër ish-polici Malko.
Vrasjes së babait të dy fëmijëve i paraprijnë dy ngjarje kriminale, sipas SPAK. Ajo e datës 26 gusht 2018 në një lokal në Kinostudio, ku mbetën të plagosur Juxhin Hamajezi, Rovaldo Mumajesi e Ibrahim Durollari, ku si autor dyshohej Santiago Malko. Si dhe tentativa për vrasjen e Erlis Dukës.
Si prova kundër të dyshuarve renditen jo vetëm dëshmia e bashkë të pandehurit Blendi Teta, që po hetohet në një proces të ndarë, por edhe provat e AND-së në dy makina, që u përdorën në vrasje. Policia ka zbuluar mbetje biologjike dhe ka përftuar përmes tyre disa kampionë AND. Për të konfirmuar praninë e të pandehurve në këto automjete, ADN janë krahasuar me profilet gjenetike të prindërve të tyre, që kanë rezultuar të përputhshme.


