Deputetja e Partisë Socialiste, Edona Bilali, ka njoftuar ndarjen e parakohshme nga jeta të profesorit të ekonomisë Ahmet Ceni, i cili nuk mundi dot ta fitoj betejën me virusin Covid-19.
Teksa i shpreh ngushëllimet të afërmve dhe familjarëve të profesorit, Bilali në mesazhin e saj vë në dukje cilësitë e vyera që ai mbarte dhe këshillat e çmuara që i ka dhënë gjatë viteve të saj si studente.
“Covidi na mori edhe një tjetër . Sot u nda nga jeta Prof. Dr. Ahmet Ceni, një jetë në shërbim publik. U nda nga jeta një nga mentorët e mi. Ngushëllimet e para i shkojnë familjes dhe menjëherë mbrapa kolegëve, që sot u tronditëm dhe nuk e pranojmë dot që profesori nuk do të jetë më mes nesh.
Kur para 10 vitesh kalova asistente e tij në disiplinën e Burimeve Njerëzore në Fakultetin e Ekonomisë, e vetmja gjë që na lidhte ishte të qënurit nga Shkodra. Prof. Ahmetin studentët e konsideronin strikt por me zemrën e madhe. Për të gjithë ne që e kishim shef, ishte mësues i vlerave akademike dhe parimeve etike të një profesionisti të rrallë. Çdo bisedë me të ishte e shoqëruar me këshilla që veç një prind mund tja japë fëmijës. Vlerat e Prof. Ahmetit do mbeten gjithmonë me mua, ndershmëria, drejtësia dhe mirësia. Janë pikërisht njerëz si prof. Ahmeti, që më bëjnë të besoj se modele pozitive si ai përhapen si oksigjen tek njerëzit që ndërveprojnë me to. Do të jetosh në mendjen e zemrën time sa të jetoj!:, shkruan Bilali në facebook.
Kujtojmë se Ahmet Ceni ka qenë zv. ministër i Transportit dhe më pas i Punës dhe i Çështjeve Sociale.
Ai ka lindur në vitin 1950 në Shkodër. Shkollën tetë vjeçare përfunduar në Shkodër ndërsa shkollën e mesme në Teknikumin Ekonomik “Nako Spiro” në Tiranë. Mbas shkollës së mesme ka kryer shërbimin ushtarak për një periudhë prej dy-vjeçare dhe në vitin 1972 ka filluar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i ka përfunduar sipas programit në vitin 1977.
Mbas mbarimit të shkollës nga viti 1997 deri në vitin 1982 ka punuar me detyra të ndryshme funksionale si përgjegjës i degës së financës dhe i planit në ndërmarrje të ndryshme të Shkodrës. Në vitin 1982 dhe deri aktualisht ka punuar kryesisht në Fakultetin e Ekonomisë si pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Organizimit të Punës dhe në vitin 1992 deri 1995 si përgjegjës i departamentit të Menaxhimit.
Në vitin 1998 deri në vitin 2000 ka punuar si Zëvendës Ministër i Transportit dhe nga viti 2001 deri në vitin 2005 si zëvendës Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale. Nga viti 2005 ishte profesor në departamentin e Menaxhimit.
Ka shkruar mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ kryesisht në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit dhe të menaxhimit. Është autor i tre teksteve mësimore që zhvillohen në nivelin Bachelor dhe Master si dhe autor i leksioneve të ciklit të tretë në lëndët “Menaxhimi shpërblimit dhe i performancës”.
Autor i disa monografive nga të cilat mund të përmendim “Shqipëria nga Plani në treg”, “Drejtimi dhe Informacioni”, “Analiza e normave dhe normimi i punës drejtuese”, etj.., si dhe është drejtues i mbi 15 doktoratave dhe punimeve të tjera shkencore.