Mutacioni Omicron i koronavirusit po i afrohet edhe Shqipërisë. ‘Protothema‘ shkruan se është konfirmuar zyrtarisht rasti i parë i personit të infektuar me këtë mutacion edhe në Greqi.
Bëhet fjalë për një person i cili është me origjinë greke, banor i përhershëm në Johanesburg, i cili ka udhëtuar me avion nga Afrika e Jugut dhe ndodhet në Kretë së fundmi.
Siç theksoi ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevrisz, ka nisur një gjurmim i detajuar i kontakteve të tij dhe ai është karantinuar.
Protothema shkruan se i infektuari ka mbërritur në Kretë më 26 nëntor dhe i është nënshtruar një testi të shpejtë në aeroport, i cili rezultoi negativ.
Por më pas ai filloi të shfaqte simptoma të lehta, si rezultat i të cilave iu nënshtrua një testi të shpejtë, i cili rezultoi pozitiv më 29 nëntor.
Testi pcr që pasoi dha rezultate të dyshimta për mutacionin Omicron, i cili u konfirmua mëngjesin e sotëm.
Mësohet se gjurmimi i kontakteve të tij ka përfunduar dhe të gjithë personat që kanë pasur kontakte me pacientin kontrollohen çdo ditë me analiza.
Ajo që kanë thënë ekspertët është se pacienti, i cili ndodhet në karantinë, ka ende simptoma të lehta të sëmundjes.