Reagimet e forta pas dekretit për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga ndërkombëtarët kanë detyruar Presidentin Meta të dalë në një konferencë tjetër për shtyp, ku aspak i qetë përballë gazetarëve, ai ka kushtëzuar ikjen e tij me zgjidhjen e krizës në favor të opozitës, e cila kërkon largimin e Ramës.
“Unë nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë, unë jam vetë ofruar për ta lënë këtë detyrë edhe gjithmonë gati që kjo sakrificë të bëhet në zgjedhjen e kësaj krize dhe gjithçka të funksionojë normalisht. Zgjidhim krizën pastaj, ikën presidenti”, u shpreh Meta.
Por ajo që ra në sy ishte, se ai nuk kursyer as kritikat për ndërkombëtarët, duke përdorur ironi tallëse si për amerikanët ashtu edhe për OSBE e BE, kur u shpreh ashpër: Boll na ngatërruat me Korenë e Veriut. “Nëse ka ndonjë nga Brukseli që mund të nxjerrë dekret për zgjedhjet, ta nxjerrë. Presidenti jam unë, përgjegjësitë i kam unë”. Kjo është hera e parë që një president shqiptar përdor një ton të tillë kundër Amerikës, duke i treguar asaj se ai është më “demokratik” sesa tempulli i demokracisë. Një ton që nuk guxoi as presidenti Berisha në vitin 1997, edhe ai atëherë në kurs përplasjeje me Uashingtonin. Në fakt një ton të tillë nuk e përdori as Ramiz Alia, gjatë kohës së tij si president i republikës në vitet 1991-1992. Në fakt një ton i tillë anti-amerikan mund të gjendet vetëm në fjalimet zyrtare të Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, “shokut” Haxhi Lleshi në fillim të viteve 80.
Presidentit Meta u shfaq i shqetësuar, jo vetëm nga toni i zërit por gjatë gjithë kohës, lëvizte në podiumin nga ku fliste, përkulej para gazetarëve, me shprehi të ndryshme në fytyrë dhe nuk ishte i përqendruar në pyetjet që i drejtoheshin, “sepse jam sëmurë” tha ai, më shumë se një herë. Ndërsa i përgjigjej interesimit të gazetarëve për deklaratat e ndërkombëtarëve, kreu i shtetit tha se zgjedhjet e 30 qershorit janë pa garë. Për të ilustruar këtë, Meta ju referuar periudhës para viteve 90, kur ai kishte votuar në kohën e monizmit. “Ju jeni të rinj, por ka një dallim mes zgjedhjeve dhe votimeve, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje jo votime, se ashtu kanë pasur 45 vite. Nëse ka ndonjë europian dhe amerikan që do të monitorojë zgjedhje të tilla, le të shkojë në Korenë e Veriut, këtu jo se ka ardhur pluralizimi politik. Zero janë mundësitë pa e zgjidhur këtë krizë, jo për të çelur negociatat tani, por as në shtator dhe shumë vite integrimi nuk do të duket në horizont”, tha Meta, pa ditur se pak orë më vonë do të përgënjeshtrohej në të kundërtën, nga Presidenti i KE, Juncker.
Meta nuk fshehu as kush ishte përgjegjësi sipas tij për krizën. Sipas Presidentit, Kryeministri Edi Rama me përgjegjësinë e detyrës që ka duhej të tregohej më fleksibël dhe të mos shprehte atë vendosmëri se 30 qershori nuk lëviz. Por Meta megjithëse mbrojti vendimin e tij si kushtetues, dështoi të jepte një argument bindës se përse ai anuloi një dekret për të cilin ishte konsultuar më parë me të gjithë, me një dekret për të cilin ishte konsultuar vetëm me opozitën. Duke iu referuar intervistës së Ramës në Real Story të enjtën, Meta tha se ajo intervistë e kishte bindur se Rama nuk lëvizte nga qëndrimi për të mbajtur zgjedhjet në 30 qershor. Por ndërkohë ai tha se kishte folur për këtë me kreun e opozitës Basha, por pa thënë nëse e kishte “bindur” atë për të hequr dorë nga largimi i Ramës si kryeministër.
Por Meta nuk ndaloi këtu me “surprizat” e tij. Me një ton dramatik, ai i tha gazetarëve sesi kishte shpëtuar vendin, duke nxjerrë dekretin pak minuta para fillimit të protestës së organizuar nga bashkëshortja e tij dhe Lulzim Basha, për t’i bindur ata të mbanin protestën paqësore, pasi “kisha informacion nga shërbimet tona dhe të huaja se grupe të caktuara donin të destabilizonin vendin në tetë qershor”.
Presidenti ishte refuzues të jepte përgjigje të plotë nëse sipas kodit administrativ vendimi i tij ishte në konflikt interesi, pasi përfitonte direkt gruaja e tij dhe në këtë moment foli fort dhe ashpër se nuk do të lejonte zgjedhje në 30 qershor. Komandanti i Përgjithshëm i forcave të armatosura nuk tha nëse do ta përdorte këtë kompetence, për të nxjerrë ushtrinë në rrugë dhe ndaluar zgjedhjet në 30 qershor.
Gjithsesi nga fundi i konferencës, Meta tentoi të zbuste tonin kur u pyet nëse do të inicionte një tryezë mes partive politike në funksion të gjetjes së zgjidhjeve për të kaluar ngërçin politik. Në këtë rast, Meta u përgjigj me batutë: “Patjetër që po, nëse nuk shkarkohem”. Një shaka e bukur në kohën e paduhur. kur vendi shkonte drejt një palë zgjedhjesh ku opozita nuk bën pjesë dhe kërcënon se do ti pengojë, mbështetur nga një president, i kontestuar e sfiduar tashmë haptazi nga komuniteti ndërkombëtar, drejt të cilit ai, po i drejtohet në një kurs të dukshëm përplasjeje.