Thano: Tri herët e pista të Ramës me Ilirin dhe Luli që han përshesh

AKTUALITET


Nga Adrian Thano

Ilir Meta ka pranuar dje se ka patur një “darkë sekrete” me Edi Ramën 10 ditë më parë.

Nisur nga kjo Presidenti shtoi se ndihet i surprizuar që Rama bëri të habiturin në publik kur u njoftua vendimi për anullimin e 30 qershorit; pasi ai dhe Kryeministri paskan folur në këtë “darkë sekrete” pikërisht për këtë: shtyrjen e zgjedhjeve.

Dita raportoi disa numra më parë një takim Rama-Meta dhe ngriti pyetjen: Përse duhet të takohen Presidenti dhe Kryeministri fshehtas?

Me ato që tha dje Meta e konfirmoi këtë informacion.

Po a duhet të habitet Meta, pse habitet Rama?  Apo duhet të habitemi ne të tjerët, pse bën sikur habitet Meta me pseudo-habinë e Ramës?

Meta thotë të vërtetën për darkën, por nuk bën të njëjtën gjë për kohën kur Rama ka mësuar vendimin e tij.

Rama e ka ditur prej kohësh atë vendim, minimalisht që kur nisi të karfosej në publik që “zgjedhjet do bëhen më 30 qershor”.

Ai e di që sa më shumë e përsërit këtë, aq më e madhe bëhet mëria e publikut naiv me Ilir Metën.

Duke parallogaritur kësisoj “fajtorin” e sigurtë dhe duke e ditur paraprakisht atë që po vinte.

Kjo e bën së paku të pandershëm me ata që e dëgjojnë dhe e besojnë. Por ah sikur të ishte i tillë, vetëm për këtë.

Po Lulzim Basha? A e ka ditur edhe Lulzimi vendimin e Metës që kur nisi të fryhej edhe ky tek të vetët për të kundërtën: pra që “zgjedhjet nuk bëhen në 30 qershor”?

Sipas Metës, Basha e mori vesh zhdekretimin vetëm ditën që hataja e madhe ndodhi; në mëngjes “me një telefonatë”.  E cila madje qenka regjistruar.

Hmm.  Vetë kujdesi për të regjistruar telefonatën dhe për ta bërë këtë fakt publik, provon të kundërtën e asaj që Meta thotë publikisht.

Edhe Basha ka luajtur me “popullin” e vet.

Të tre e kanë ditur prej kohësh. Të tre i kanë njohur prej kohësh lëvizjet e njëri tjetrit.

Dhe të tre kanë vijuar me vetëdije të plotë të thellojnë retorikën e konfliktit dhe përhapjen e krizës.

Pse? Sepse secili e ka përdorur krizën për të forcuar imazhin dhe pushtetin e dëmtuar brenda oborrit të vet partiak.

Pse Rama? Sepse ishte dhe është në rënie të fortë për shkak të korrupsionit, klientelizmit dhe kapjes.  Radikalizimi i situatës e nxorri nën dritën e re të “liderit shpëtimtar”, gjithsesi e rreme,

Pse Basha? Sepse ishte dhe  është një kryetar partie humbës, pa autoritet, pa dinjitet, mediokër, me një varfëri tezash dhe fjalori politik që të le pa mend. Thellimi i krizës ishte, është dhe do të jetë viagra e tij e vetme në PD, gjithsesi me efekt të përkohshëm.

Pse Meta? Sepse po përjeton shkërmoqjen e LSI; protagonizmi e riheroizon aty ku ai mundet tashmë të rikthehet jo më si ish-kryetari që i la në baltë por si shpresa për pushtet e një partie të mësuar me pushtet.

PD dhe LSI e krijuan krizën? Mund të thuhet dhe kështu.

Por player-i tretë, ai tipi i shpresës së madhe, “i gjati” që do ishte ndryshe nga “i shkurtri” dhe gjithë të tjerët, ai e përdori atë.

Kjo e bën më skuthin prej krejtve.

Të tre këta nga të cilët pritet zgjidhja e krizës janë paradoksalisht tre përfituesit kryesorë prej saj.

Vijimi i krizës forcon, shpëton pozitat e tyre brenda partive.

Zgjidhja e krizës shpëton Shqipërinë.

Çfarë zgjodhën këta të tre? Çfarë do zgjedhin këta të tre?

Nuk ka dyshim. Atë që kanë zgjedhur gjithmonë: pushtetin personal, forcimin e tij.

Edhe pse kjo prodhon një torturë të re mendore, të papërballueshme për shqiptarët.

Edhe pse kjo po godet rëndë ekonominë e brishtë të vendit dhe rrënon edhe më tej imazhin e tij.

Vëreni hipokrizinë e Ramës me Metën.

I gjati po rikërkon sot mobilizim kundër “Like Floririt”.

Ajajaj, prapë o lider?

Ti që pasi udhëhoqe 21 janarin për “hajdutin me bllok”, me hajdutin më pas ndave qeverisjen që erdhi prej gjakut?

Ti që pasi ndave me hajdutin qeverisjen që erdhi prej gjakut, e fajësove për korrupsionin e qeverisë që drejtoje vetë?

Ti që pasi e fajësove për korrupsionin e qeverisë që drejtoje vetë, e bëre President?

Ti që pasi e bëre President, tani ke vënë kushtrimin për ta hequr?

Ti pra që ata që shpall hajdutë i fut në qeveri e pastaj i shpall prapë hajdutë për ti ngjitur edhe më sipër.

Ti ah, qenke nxehur prapë.

Me kë? Dhe me çfarë? Me ato që bën dhe zhbën vetë?

Sa herë duhet të gënjesh për Liken ti?

E ke gjykuar gabim më parë? Po si kështu? Je idiot? Se paske gabuar pak si shpesh për të njëjtën gjë.

Ke bërë pazare? Qenke pazarxhi, je vetë hajdut dhe thërret kapeni hajdutin.

Në të dyja rastet duhet të ikësh, nuk e meriton më besimin e atyre që të kanë votuar.

Por nëse rri, të paktën mos bëj të skandalizuarin ca më vonë kur në debatin se kur duhet ta lerë postin një politikan shqiptar, të të gjykojnë me “standartet” e kalit të Saliut.

Dhe në mos kriminale për shkak të pasojave, a nuk është patetizëm dhe karagjozllëk pa fund kjo histori brohorimash dashurie dhe pëllitjesh urrejtje për “Like floririn”, njëherë kështu e njëherë ashtu, sipas oreksit politik të Të Gjatit?

A nuk është për të qarë që tani nxjerr kundër Likes po ata papagallë me fustan dhe po ata të tredhur me pantallona që nxirrje dikur ekraneve për të lëvduar Liken dhe “unitetin”?

A nuk është për të qeshur që ndërsa bën këtë, neve që të kemi thënë MOS prej fillimit, tani na shpall “agjentë” të Likes dhe të “unitetit brenda së majtës” duke na ndërsyer debilë forumesh që kacavirren gjithë ditën në faqet online dhe rrjete sociale?

Ajo që e bën tragjedinë gajasëse dhe komedinë të trishtë është retorika e Lulzimit, të cilin dikush disa vite më parë e ka krahasuar me ato ëmbëlsirat që i mbështillen shkopit, ato me vezë e sheqer, që kanë shumë volum e zero peshë.

Akullore me lesh, i quajnë disa.

Akullorja me lesh, alias Lulzimi, po ngjirret për të na treguar që I Gjati qenkësh shumë arrogant me opozitën.

Mos more. Vërtet? Akullorja personalisht futi 15 milionë euro në xhep nga kjo “arrogancë” e padurueshme. Lideri ia garantoi në një nga këto “darkat sekrete”.

Por jo vetëm kaq. Lideri i pagabueshëm i ka dhënë miliarda oligarkut që mban fotografinë e Saliut në zyrë dhe është kasaforta e PD-së, sponsori kryesor i saj, rrjedhimisht edhe i protestave të dhunshme.

Hajde “arrogancë” hajde.

Po ta lemë mënjanë propagandën qesharake, teatrin e përditshëm bajat, intrigat banale, nivelin e diskursit publik për dele, duhet thënë që Edi Rama është vërtet arrogant.

Është i tillë me ata që e kanë votuar dhe e votojnë, atyre ua ka nxirë dhe ua nxin, thellë thellë i përçmon.

I përcmon se janë të varfër. Nuk janë të bukur e shkëlqyes si çeta e çupërlinave dhe dylberëve të tij sarhoshë.

I quan katundarë, se të shkretët e votojnë, por nuk i kënaqin dot shijet e tij të larta estetike: nuk vishen firmato, janë të ushqyer keq, tre dhëmbë i kanë, një nuk…

Gjithsesi, sikur të mos ishte kriza me të cilën duan të shpëtojnë veten Likja dhe Akullorja, pisk do ta kishte me jofirmatot e tij edhe I Gjati.

Sepse ndërkohë po e njihnin mirë, po ia mësonin horrliqet, korrupsionin, mendimet e vërteta që ka në kokë. Kriza e Likes dhe e Akullores e shpëtoi edhe Të Gjatin.

Jo për shumë kohë sidoqoftë. Sado të fshihet dikush, prapë nuk shpëton dot nga vetja.

Për shkak të rrethanave Edi Rama pati një shans historik. Por ai u shndërrua shumë shpejt nga reformator në konformist dhe vijoi ciklin 30 vjeçar të mosndëshkimit.

Rilindja e premtuar prej tij është vetëm urbane, por edhe ato vepra po kryhen me çmime dy e trefishe e në disa raste edhe pse kanë kosto stratosferike shemben si tuneli i Rrugës së Arbirt.

Dikur Shqipëria kishte zgjidhje të tjera. Ato që Rama premtoi në fushatë elektorale.

Dikur.. Tani jo më.

Tani zgjidhja është ikja e Edi Ramës. Është vetë Rama që nuk i ka lënë vetes asnjë zgjidhje tjetër.

Me ato që ka bërë, po veçanërisht me ato që nuk ka bërë.

Dhe këtu nuk është fjala vetëm se nderon Mitatin, fut simbolin e hajdutërisë berishiste në krye të sistemit bankar, apo vijon premton drejtësi për 21 janarin kur ata që kishin gishtin në këmbëz i bën kryetar bashkie.

Këtu bëhet fjalë për Shqipërinë. Kush do vetëm parcelën e tij partiake, të vazhdojë të shkojë pas Likes, Akullores dhe Të Gjatit se për ta kriza është jetë dhe mundësi pazaresh të reja.

Kush do Shqipërinë nuk shkon pas asnjërit prej tyre.

Kërkon zgjedhje të parakohshme dhe firmosjen e një kontrate paraprake me garant ndërkombëtar nga të gjitha partitë që e njohin pa kushte rezultatin e këtyre zgjedhjeve të reja.

Mazhoranca e re e majtë që do dalë nga këto zgjedhje duhet të zhbëjë me urgjencë ndryshimet kushtetuese të 2008, të hapë tregun politik për njerëz të rinj dhe konkurencë të ndershme dhe të finalizojë ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Të cilat duhet të jenë njëherë e mirë jashtë çdo ndikimi politik me njerëz të cilët nuk bëjnë dallim mes një hajduti pulash apo ca kilovatësh energji dhe një mega-hajduti në qeveri apo ish-qeveri nga ata që kanë zhdukur miliarda me një firmë.



Skip to toolbar