Polica ka zbardhur detajet e operacionit të koduar “Grupi”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun Elbasan.
Ky operacion u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, dhe me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Sipas njoftimit, hetimet kishin nisur prej më shumë se një viti, duke përdorur metoda speciale, dhe kulmuan me ekzekutimin e 24 urdhërave ndalimi të lëshuara nga Prokuroria.
Deri tani janë ekzekutuar 16 prej tyre, tetë gjatë operacionit të sotëm dhe tetë të tjera gjatë periudhës hetimore.
Ndërkohë, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tetë personave të tjerë që nuk u gjetën në banesa.
Gjatë aksionit u arrestua në flagrancë një shtetas për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe u kap një person i shpallur më parë në kërkim.
Policia sekuestroi 9 kilogramë kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gramë kokainë, gjithashtu gati për shpërndarje, pesë peshore elektronike, shtatë automjete dhe 17 aparate celularë.
Operacioni u shtri në qytetet Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas, duke goditur rrjetin e shpërndarjes së drogës në këto zona. Mes personave të ndaluar janë I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë R. H., 39 vjeç, ndërsa u kap P. Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të operacionit u ekzekutuan edhe 27 vendime gjykate për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme, ku u gjetën prova të tjera që lidhen me veprimtarinë kriminale.
Policia dhe Prokuroria e Elbasanit kanë bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
