E konsideroj si përgjigje pozitive lidhur me çështjen nëse Ukraina do të marrë edhe tanke Leopard-2 të prodhimit gjerman, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në kuadër të Forumit të Ekonomisë Botërore në Davos. “Unë mund ta konsideroj si të pranuar opcionin e tankeve”, tha Kuleba në një lidhje përmes videos nga malet zvicerane.
Pikërisht këtë të enjten (19.01.2023) në Berlin u takuan ministri i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin me homologun e tij gjerman Boris Pistorius, për të biseduar lidhur me ndihmën e mëtejshme ushtarake nga Perëndimi për Ukrainën. Ata u takuan një ditë përpara konferencës mes SHBA-së dhe rreth 50 shteteve që mbështesin Ukrainën në „Grupin e Kontaktit për Ukrainën” në bazën ushtarake të SHBA-së në Ramshtein në Gjermani. Në këtë takim (20.01.2023) do të hartohet një paketë me ndihmë voluminoze ushtarake për vendin e sulmuar nga Rusia.
“Opcioni do të jetë plotësisht i pranuar”, u shpreh ministri i Jashtëm unkrainas Kuleba, “nëse Gjermania u jep dritën e gjelbër vendeve të treta, që janë të gatshme, të na venë neve në dispozicion tanket e tyre Leopard”. Polonia dhe Finlanda javën e kaluar kanë premtuar, se secili do t’i dorëzojë Ukrainës një duzinë tankesh Leopard 2.
Gjermania i rezervon vetes të drejtën – si zakonisht në biznesin ndërkombëtar të armatimeve – që ajo të japë miratimin përpara, nëse një vend i furnizuar me armë të prodhimit gjerman do që t’i eksportojë ato më tej. A po skicohet një kompromis i mundshëm mes Berlinit dhe Uashingtonit? Një ditë përpara, të mërkurën (18.01.2023) në Davos kancelari gjerman Olaf Scholz duket se është shprehur për kushtëzimin, se Gjermania do t’i furnizonte Leopard 2 nëse SHBA do t’i jepte Ukrainës tanket e veta luftarake Abrams. Kështu u mësua nga qarqet amerikane në Davos.
Në këtë kontekst presidenti ukrainas Volodymyr Selenksyj të enjten në një video-mesazh u shpreh: ‘Unë jap tanke, nëse dikush tjetër jep tanke’ … “Unë nuk besoj, se kjo është strategjia e duhur.” SHBA i kanë dislokuar në Europë tanket Abrams. Megjithatë këto tanke konsiderohen si shumë të vështirë për t’u përdorur. Ndërsa tanket e prodhimit euripian normalisht funksionojnë me naftë, tanket Abrams furnizohen me benzinë – kjo do të ishte në aspektin logjistik për Ukrainën e pamundur, për këtë janë të bindur shumica e ekspertëve. “Ka situata, kur ne nuk duhet të ngurrojmë apo të krahasojmë”, i tha Selenskyj publikut në Davos.
Ushtria ukrainase qysh tani ka një efikasitet të lartë në front duke koordinuar aparatura krejt të ndryshme ushtarake nga vendet që e mbështesin atë – ushtria ukrainase po përballon transportin, furnizimin me karburant dhe riparimin.
Qeveria gjermane ndodhet nën presion, ndërsa pas dyerve të mbyllura po zhvillohet diplomaci me intensitet të lartë.Në Gjermani dominon debati publik lidhur me dërgimin në Ukrainë të tankeve Leopard 2. Kryesisht krahu i majtë i socialdemokratëve të partisë së kancelarit prej muajsh është pozicionuar kundër furnizimit me tanke luftarake, ndërsa partitë e koalicionit qeverisës Aleanca 90/Të Gjerlbërit dhe liberal-demokratët, FDP, e kërkojnë këtë.
Think Tank IISS (International Institute for Strategic Studies) prej kohësh llogarit me dërgimin e Leoprad 2 në Ukrainë. “Po bëhet gjithnjë e më e mundur, që Leopard 2 të futen në inventarin ukrainas”, shkruan në mes të janarit IISS, “por efektet në fushën e betejës do të varen nga numri i tankeve të furnizuar”. Të nevojshëm janë, sipas këtij studimi, 100 Leopard 2, në mënyrë që Ukraina të fitojë epërsi vendimtare. “Edhe nëse vënia në dispozicion e një numri të vogël tankesh Leopard 2 është e rëndësishme politkisht, ky do të ishte vetëm një gjest simbolik.”
Nga Suedia raketë moderne rreze 150 kilometra
Ndërkohë në paketën e ndihmës ushtarake për Ukrainën janë përfshirë edhe armë të tjera, ndoshta po aq vendimtare për Ukrainën. Ndër to është fjala edhe për një raketë, që u hodh në tregun e armative vjeshtën e kaluar. Bashkë me koncernin Boing nga SHBA koncerni suedez i armative Saab ka zhvilluar një raketë artilerie, e cila ka një kosto shumë më të favorshme se raketa tokë-ajër e SHBA-së. Në Ramshtein do të vendoset, që Ukraina ta marrë këtë sistem armatimi.
Raketa “ka një rreze prej 150 kilometrash, e mund të sulmojë si objekte të dislokuara ashtu edhe të lëvizshme”, shkruan shërbimi informativ britanik i armatimeve “Janes Defence”. Sipas prodhuesit suedez kjo raketë mund “të niset nga një shumëllojshmëri kushtesh pozicionimi dhe konfigurimi”. Pra me sa duket edhe nga sistemet e artilerisë, që Perëndimi i ka vënë deri tani në dispozicion Ukrainës.
Përgatitje për sulme ndaj Krimesë?
Me një rreze veprimi prej 150 kilometrash ushtria ukrainase mund të arrijë nga vija e frontit deri në qendër të gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia.
Korridor tokësor për në Krime: Me një raketë me rreze veprimi deri në 150 kilometra Urakina mund të arrijë trupat ruse deri në qendër të Krimesë
Forcat e armatosura ruse bombardojnë – edhe nga bazat e tyre në Krime – infrastrukturën civile të Ukrainës. Sipas një njoftimi të “New York Times” presidenti i SHBA-së Joe Biden duket se nuk është më i rezervuar si më parë, për ta armatosur Ukrainën me armë të kalibrit të lartë, me të cilat gadishulli i Krimesë mund të sulmohet vazhdimisht.
Në Moskë zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin ndaj këtij informacioni reagoi duke paralajmëruar: “Kjo do të thotë ta ngresh konfliktin në një nivel të ri, që nuk do të ishte mirë për sigurinë europiane”, njofton agjencia e lajmeve Reuters duke iu referuar një bisede me zëdhënësin e Putinit, Dmitri Peskov. Me këtë raketë ushtria ukrainase gjithashtu mund të përgatisë ofensivën e vet në territorin në jug të qytetit të madh Saporishshja dhe rimarrjen e kontrollit të urës tokësore për në Krimenë e pushtuar nga Rusia në pranverën e vitit 2022 dhe të qytetit të pushtuar nga rusët Melitopol.
Me furnizimet me armë nga pekta e mundshme e Ramshteinit, të bëra publike në fillim të janarit, është e qartë, se aleatët e SHBA-së në Grupin e Kontaktit për Ukrainën kanë vendosur, të furnizojnë në vendin e sulmuar armë perëndimore nga më modernet dhe ndoshta vendimtare. Në këtë mënyrë Ukraina do të mund t’i rezistonte sulmit masiv të Rusisë të nisur pranverën 2022 dhe të çlirojë pjesë të tjera të vendit. Me këtë do të ndëmerrej një hap i ri cilësor dhe vendimtar – në Ramshtein.