Shkarkimi i Ilir Metës, publikohen emrat e deputetëve që kanë firmosur

AKTUALITET


Lufta mes Presidentit dhe Qeverisë tashmë është në fronte të hapura. Pas Rezolutës së miratuar me 100 vota në Parlament për kundërshtimin e vendimit të kreut të shtetit, që anulon datën e mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, beteja e radhës është ajo e shkarkimit të tij nga Kuvendi. Të hënën pritet të dorëzohet në Kuvend lista me emerat e 55 deputetëve që kanë firmosur mocionin për shkarkimin e Ilir Metës.

A2 CNN ka publikuar listën me 35, nga 55 emrat e deputetëve që kanë firmosur dokumentin, që do i dorëzohet Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit. Mes emrave që kanë firmosur janë zv.kryeministri Erjon Braçe, kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla, si dhe shumë deputetë të tjerë socialistë. Lista është gati që prej datës 13 qershor, por PS ende nuk e ka depozituar në Kuvend. Kërkesa mund të dorëzohet të hënën, duke shënuar kështu hapin e parë të procedurës ligjore për shkarkimin e Ilir Metës.

Neni 112 i Rregullores së Kuvendit cakton se kërkesa bëhet nga “Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, të cilët mund të propozojnë shkarkimin nga detyra të Presidentit, parashikuar nga neni 90 pika 2 e Kushtetutës. Pasi deputetët paraqesin kërkesën ajo shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve, i cili propozon ose jo krijimin e një Komisioni Hetimor.

Kështu, nëse procedura vijon në këtë logjikë, Komisioni Hetimor thërret Presidentin për ta dëgjuar atë, dhe më pas ky komision i paraqet Kuvendit në mënyrë të arsyetuar një relacion se nëse ka shkaqe apo jo për shkarkimin e Presidentit të Repbulikës. Pas këtij hapi, shkohet në seancë plenare për votim, ku kërkohet 2/3 e deputetëve që të votojnë PRO, pra 94 vota.

Më pas, ka dhe një moment të fundit, pasi vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, që gjykon dhe vendos përfundimisht fatin e kreut të shtetit. Megjithatë, kjo e fundit nuk ekziston për momentin në vendin tonë, ndaj mazhorancës i duhet kohë, që të vërë në zbatim vendimin e Kryesisë për shkarkimin e Ilir Metës.



Skip to toolbar