“Shqipëria nuk është në shitje”, Minxhozi për protestën: Është krijuar një tymnajë patriotike, thelbi është te…

Më të fundit


 Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar protestën që vijon prej më shumë se 40 ditësh, duke thënë se sipas tij ajo është shoqëruar me një retorikë patriotike që nuk përputhet me thelbin e saj.

Sipas tij, slogani “Albania is not for sale”, i lidhur me kundërshtimin ndaj projekteve turistike, është zgjeruar në një narrativë më të gjerë patriotike, që sipas tij krijon një perceptim të gabuar.

Minxhozi theksoi se protesta, sipas tij, lidhet më shumë me një çështje të qeverisjes dhe pushtetit politik sesa me çështje kombëtare.

Duke folur për përfshirjen e shqiptarëve nga rajoni në protestë, Minxhozi tha se çështjet e qeverisjes së Shqipërisë duhet të vendosen nga qytetarët që jetojnë dhe votojnë në këtë shtet.

Në fund, ai bëri dallimin mes gjuhës dhe politikës, duke theksuar se gjuha është një element bashkues për shqiptarët, ndërsa qeverisja është një çështje që lidhet me territorin dhe institucionet e shtetit shqiptar.

“U parashtruan disa situata që nuk ngjajnë mes tyre, personat vijnë nga drejtime shumë të ndryshme. Ata me kombësi shqiptare por me shtetësi tjetër mendoj janë diçka tjetër nga europarlamentarët. Është krijuar një tymnajë e madhe me nota patriotike dhe mbarë kombëtare, ajo parulla që duhet analizuar në kontekstin shqiptar ‘Albania is not for sale’ që ka të bëjë me këto lloj resortesh, por kur kjo zgjerohet me shqiptarët e rajonit dhe ata e marrin si një sipërmarrje patriotike që të vish në Tiranë se po na marrin tokën, po na vjedhin të huajt, etj dhe akte të tilla ku sublimohet qenia shqiptare dhe ku duhet të mblidhemi të gjithë, se po na ikën atdheu, mendoj se është një tymnajë dhe një propagandë që ka një qëllim shumë më pak fisnik dhe më banal se ambalazhi me të cilin është i veshur.

Nëse je një person me kombësi shqiptare por nuk banon në Shqipëri, pra nëse nuk banon në një shtet, nuk paguan taksa dhe nuk ke të drejtë vote në një shtet, nuk mendoj se ke të drejtë të futesh në lojën e pushtetit të atij shteti. Nuk po shitet Shqipëria. Asnjë prej kërkesave në protestë nuk ka të bëjë me shtetformimin në optikën më patriotike dhe më klasike që kemi ne, por ka të bëjë me organizimin e shtetit shqiptar dhe më së shumti me një çështje pushteti brenda Shqipërisë politike.

Kërkohet të rrëzohet një qeveri që nuk konsiderohet e mirë nga një pjesë e popullit. Ç’punë ka një banor i Gostivarit, i Pejës, të vij në Tiranë dhe të thotë: qeveria Rama nuk më pëlqen. Gjuha nuk ka parti, është një tipar që na bashkon të gjithëve. Në Shqipëri, protesta luhet për një çështje pushteti, një çështje qeverisjeje. Nuk është për një gjë kaq sublime dhe madhore dhe përbashkuese siç është gjuha. Qeveria Rama nuk i identifikon sot shqiptarët, gjuha Po. Qeveria Rama e ka territorin shumë të përcaktuar”, tha ai.



Skip to toolbar