Kryeministri Rama ndodhet të hënën në një vizitë në Londër, ku do të marrë pjesë në Forumin e prestigjiozes Financial Times- Investimet në Ballkanin Perëndimor. Vetë kryeministri njoftoi se kjo është një ndërprerje e pashmangshme nga fushata por shumë shpejt do të nisë faza finale drejt 30 qershorit.
“Shkëputje e pashmangshme nga fushata për të marrë pjesë në Forumin e prestigjozes Financial Times – Investimet në Ballkanin Perëndimor. Pasnesër gati për fazën finale drejt 30 qershorit, ditës kur populli do t’u japë një mësim të paharrueshëm kundërvënësve të tij pa din e iman”, shkruan kryeministri në Twitter.
Ai është i vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, pavarësisht dekretit të presidentit Meta për anulimin e tyre. Maxhoranca e ka cilësuar antikushtetues dhe nul këtë dekret të cilin as KQZ nuk e mori në konsideratë dhe po vazhdon përgatitjet për zgjedhjet.