Partizani ka bërë këtë të hënë prezantimin e trajnerit të ri të ekipit, që do të drejtojë kampionët në sezonin 2019-2020, duke nisur me pjesëmarrjen në Kupat Europës. Italiani Fanko Lerda është prezantuar paraditen e të hënës në zyrat e klubit të kuq, në prani të drejtorit Olsi Rama. Gjatë fjalës së tij, Lerda u shpreh krenar që do të drejtojë një klub si Partizani. “Për mua është kënaqësi të jem këtu në këtë vend të ri. Vend i cili është i afërt edhe nga ana kulturore me Italinë. Jam krenar që do të përfaqësoj këtë klub. E njihja si klub se ndjek kampionatet, por e njihja gjithsesi”, tha ai.
Më tej, ai u shpreh se objektivi i parë është paraqitja sa më mirë në Champions League. “Objektivi ynë primar është të përgatitim ndeshjet e Champions, i pari është të përgatitim sa më mirë ndeshjen. Duke folur me drejtorin O.Rama dhe presidentin Demi, objektivi ynë është të krijojmë mentalitet stil e imazh për skuadrën. Nëpërmjet punës, idesë së futbollit për rritjen e tij. Më bën të ndihem krenar që do drejtoj një skuadër kampione. Gjithsecili ka mënyrën e vetë të punës, shpresojmë që të jemi në të njëjta nivele sezonin e ardhshëm dhe të synojmë titullin. Dua të përgëzoj trajnerin e mëparshëm Gega”, tha trajneri i ri i të kuqve.
Më tej, Lerda u shpreh se projekti që i kanë ofruar drejtuesit e klubit është shumë ambicioz, ndërsa u shpreh se gjithçka do ta tregojë fusha e lojës. “Projekti që më ofruan drejtuesit ishte shumë ambicioz. Unë jam një njeri ambicioz. Vij në një realitet të panjohur por ekzistojnë mundësitë për të eliminuar ato që cilësohen si pengesa. Kam trajnuar lojtarë shqiptarë edhe në Itali, si Memushaj dhe Çani, të cilin e bëra unë të debutonte. Futbolli ne Shqipëri, Rusi, Kinë është në fushë, një raport klub shoqëri lojtarë. Gjithçka varet nga puna, fusha dhe strategjia që do të mundohemi të arrijmë”, tha Lerda.