Behar Bajri u kap dy javë pasi u mbajt në vëzhgim nga pala shqiptare e cila më pas ka lajmëruar autoritetet franceze. 43 vjeçari u arrestua teksa ndodhej i vetëm në një lokal në Paris.
Në momentin e ndërhyrjes, mësohet se ai nuk ka bërë rezistencë ndaj oficerëve të policisë, ndërsa nuk iu gjet as ndonjë send i jashtëligjshëm me vete, si armë.
Tashmë, autoritetet e të dyja vendeve kanë nisur procedurat për ta ekstraduar në vendin tonë.
Bajri ishte në kërkim ndërkombëtar si pjesë e dosjes Metamorfoza.
Hetimet nisën në 2019-ën pasi autoritetet belge dhe holandeze siguruan komunikime në rrjetin “Enchro Chat” dhe “SKY”. Nga hetimet rezultoi se biznesmeni Pëllumb Gjoka, tashmë i arrestuar, ka kërkuar nga Behar Bajri që të kryente vrasjen e Kleanthi Musabelli një ish-punonjës i policisë së burgjeve.
Në dosje u zbulua gjithashtu se si Bajri kishte bashkëpunuar edhe me Ervis Martinajn.
Referuar dosjes hetimore, Behar Bajri dhe Denis Borrici ekzekutuan Gjin Boriçin me porosi të Martinajt, dhe ky i fundit do të eliminonte Kleanth Musabelliun vrasje e cila nuk u realizua pasi shënjestra kuptoi planin.
Si pjesë e kësaj dosje u arrestuan edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish prokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe kreu i Forcave Operacionale, Oltion Bitri. Ndërsa u zbardhën vrasje e trntativa vrasjesh në Shkodër e Tiranë.