Frrok Çupi: Ndryshimet në qeveri të domosdoshme, u bënë në momentin e duhur

Më të fundit


Analisti i njohur, Frrok Çupi thotë se ndryshimet e bëra në kabinetin qeveritar, ishin të domosdoshme dhe ndodhën pikërisht në kohën e duhur.

Ai tha se këto lëvizje janë bërë për t’iu përgjigjur nevojave dhe sfidave që po kalon Shqipëria, ndërsa përmendi sektorin e turizmit, që sipas Çupit ka dhënë një ndikim të fortë në fuqizimin e ekonomisë së vendit.

Gjatë intervistës në “Tirana live” në ABC News, Çupi theksoi se për të parë nëse këto ndryshime do jenë të duhurat, sigurisht që faktori “kohë” duhet ta dëshmojë këtë gjë.
“Ishin disa ndryshime që ndodhën në një kohë të domosdoshme.  Cila qe kjo kohë e domosdoshme? E domosdoshme ishte pika e vlimit. Jo në sensin negativ, por në sensin e zhvillimit , punët e qeverisjes së Shqipërisë shkuan në pikën e vlimit ku presionet e jashtme ishin jo vetëm negative, por dhe pozitive.

Viti qe i rritjes maksimale në turizëm, diplomaci, i rritjes në punimet e tjera për zhvillimin në ekonomi, sidomos në sektorin e energjetikës. Ndryshimet kanë ndodhur në ndjesinë e maksimumit të gjërave. A janë ndryshime që garantojnë gjë? Kjo vlen për t’u parë”, tha Çupi.

Me tone kritike, Çupi u ndal tek diplomacia shqiptare, e cila sipas tij nuk ka qenë në lartësinë dhe nevojat që kërkon koha. 

“Diplomacia në Shqipëri është kërkuar shumë e fuqishme. Mos të harrojmë një gjë, Ministria e Jashtme ishte ministria ku portën e saj e zinte pluhuri dhe merimangat më të mëdha në të gjitha dikasteret e botës.

Vazhdon të jetë  një gjë e qetë, pa zhvillim dhe pa jetë, ku duhet të lëvrijë në çdo moment. Nuk është fjala jo vetëm fizikisht. Është një gjë e re, mbase do motivohet dhe mbase do dëgjojë eksperiencat perëndimore për të zhvilluar diplomaci të dobishme”, tha Çupi.



Skip to toolbar