Sulmi terrorist në veri të Kosovës/ Abazoviç: Vazhdimi i një politike katastrofike ballkanike

KOSOVA


Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç e ka cilësuar vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, nga terroristët serbë një tragjedi.

Sipas Abazoviç, pavarësisht sesa e rëndë është situata, pajtimi është e vetmja zgjidhje. Po ashtu, kreu i qeverisë malazeze ka vlerësuar vetëpërmbajtjen e palëve, duke shtuar se situata të dielën mund të kishte shkuar edhe më keq.

Tragjedi dhe vazhdimi i një politike katastrofike ballkanike… Ne mendojmë se politika e viteve 1990 duhet të marrë fund. Pra, popujt në këto treva kanë provuar gjithçka përveç pajtimit, prandaj apeli im është edhe në raport me popullit serb edhe në raport me popullin shqiptar, më në fund provoni një herë pajtimin. Ju keni provuar gjithçka, përpiquni të pajtoheni, besoj se do t’ju pëlqejë të gjithëve”, ka thënë ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur kolegu i tij, Alban Rashiti. Pas aktit terrorist, rreth 30 persona të armatosur u fshehën në Manastirin e Banjskës. Policia e Kosovës ftoi personat e armatosur të dorëzohen, por ata vazhduan me sulme ndaj Policisë.

Nga aksioni, katër sulmues humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u arrestuan. Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh të kalibrave të ndryshëm, eksplozivë, municione dhe logjistikë të aftë për të pajisur qindra persona.

Lidhur me sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës ka pasur reagime të shumta nga ndërkombëtarët. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiç konfirmoi në një konferencë për media mbrëmjen e së dielës se grupi i armatosur që sulmoi policinë e Kosovës përbëhej nga serbë të rebeluar nga veriu i Kosovës, duke theksuar se rasti ishte i pajustifikueshëm. Ndërkaq, Albin Kurti e cilësoi sulmin e armatosur “formacion profesionist me mbështetjen politike, financiare dhe logjistike të zyrtarëve në Beograd”, që sulmon Kosovën.



Skip to toolbar