“Përfaqësuesit e një zyrtari”, arrestohen 4 mashtruesit që donin t’i merrnin 70 mijë euro biznesmenit, dy në kërkim

AKTUALITET


Katër persona janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim si pjesë e një grupi që donin të mashtronin një biznesmen. Mes të shpallurve në kërkim është edhe Florian Gjergji, i akuzuar edhe për disa raste të tjera mashtrimi.

Sipas asaj që njoftoi policia, këta persona kanë tentuar që të mashtrojnë biznesmenin për t’i marrë 70 mijë Euro. Ata janë prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror.

“Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Xhonatan Xhaferri, 24 vjeç, Leonard Xhika, 39 vjeç, Mikel Panxhi, 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe Petro Ferzaj, 51 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Xhensil Qefa, 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe Florian Gjergji, 40 vjeç, banues në Shkodër”, njoftoi policia.

Policia ka sekuestruar në lidhje me këtë ngjarje 2 makina dhe 6 aparate celulare.

Florian Gjergji dyshohet si organizator i disa skemave mashtrimi. Ai është shpallur në kërkim më parë ndërsa deri më tani nuk është vënë dot në pranga. Ai dyshohet se fshihet në Gjermani dhe është në kërkim që prej janarit të këtij viti. Kjo pasi në mesazhet që u dërgonte bashkëpunëtorëve, u kërkonte që paratë t’i dërgoheshin në Gjermani.

39-vjeçari përdorte aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohej biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si, kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.



Skip to toolbar