Izraeli godet tunelet në Gaza, shkon në 2400 numri i viktimave

BOTA


Ushtria e Izraelit tha se nëpërmjet sulmeve ajrore po shënjestron rrjetin e tuneleve të Hamasit në Gaza. “Mendojeni Rripin e Gazës si një shtresë për civilët dhe një për Hamasin”, tha zëdhënësi i ushtrisë.

Më shumë se 1200 persona janë vrarë në Gaza që kur Izraeli nisi sulmet ajrore. 338 000 persona janë zhvendosur si pasojë e sulmeve ajrore. Të paktën 1200 persona janë vrarë në Izrael prej luftimeve në fundjavë nga Hamasi.

Në Izrael do të shkojë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, që do të takojë zyrtarët izraelitë. Ai do të takojë edhe Presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas. Abbas ndodhet në Bregun Perëndimor dhe është kundërshtar i Hamasit në Gaza.


Izraeli shënjestron tunelet në Gaza

Sulmet ajrore izraelite në Gaza vijojnë. Avionët po shënjestrojnë tashmë rrjetin nëntokësor të ndërtuar dhe populluar me militantë të Hamasit.

“Ajo që Hamasi ka bërë që kur mori kontrollin 20 vite më parë, ishte ndërtimi i një rrjete tunelesh nga qyteti i Gazës dhe nën qytetin e Gazës deri në Khan Yunis dhe Rafah”, tha zëdhënësi Jonathan Conricus.

Ai u shpreh më tej se Rripi i Gazës duhet menduar në dy shtresa, një për civilët që rrinë në sipërfaqe dhe një nëntokë, ku rrinë militanët e Hamasit.

“Ajo që po përpiqemi të bëjmë është që të shkatërrojmë shtresën e dytë që ka ndërtuar Hamasi. Këto nuk janë bunkere për civilët e Gazës që të kenë akses kur Izraeli godet”, tha ai.

Ish-negociatori izraelit flet me Hamasin për pengjet

Disa familjarë dhe miq të personave që janë rrëmbyer nga Hamasi kanë kontaktuar Gershon Baskin, një ish-negociator izraelit që më parë mundësoi lirimin e ushtarit Gilad Shalit, i cili u mbajt nga Hamasi për 5 vite.

Duke folur për disa media ndërkombëtare, Baskin tha se po flet me Hamasin duke u përpjekur që t’i bindë që t’i lirojë femrat dhe fëmijët dhe t’u dërgojë atyre mjekime.

“Unë mendoj se Hamasi është po aq i befasuar sa Izraeli me suksesin e tij në operacionin ushtarak… në përpjekjen e tyre për të rrëmbyer aq shumë njerëz sa bënë ata”, tha ai.

Sipas asaj që ka komunikuar me Hamasin, Baskin tha se beson se femrat nuk do të përdhunohen dhe civilët nuk do të torturohen.

“Nuk jam i sigurt nëse kjo do të ndodhë edhe me ushtarët”, tha ai.



Skip to toolbar