President i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka hedhur akuza ndaj Albin Kurtit pas takimeve të tyre në Bruksel. Sipas kreut të shtetit serb arsyeja pse shefi i ekzekutivit të Kosovës u tregua i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjeve ishte se e dinte që Beogradi nuk do ta pranonte kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Kurti takimin e parë e ka pasur me përfaqësuesit e fuqive të mëdha evropianë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe më pas kreun e Këshillit Evropian, Borellin dhe Lajçakun. Ai u prezantoi idenë që le t’i nënshkruajmë të tre dokumentet: Marrëveshjen Bazike, Aneksin e Ohrit dhe draftin e 21 tetorit. Dhe fjala është sigurisht për një truk, sepse ai nuk është aspak i gatshëm të formojë asociacionin . Po flasim për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe sistemin e organizatave, UNESCO dhe gjithçka tjetër, si dhe për integritetin territorial të Kosovës. Këtë e ka ofruar Kurti.”
Një ditë më parë Albin Kurti akuzoi Serbinë për mos nënshkrimin e marrëveshjeve në Bruksel. Deklaratën e Aleksandër Vuçiç, se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, Kurti e cilësoi si kërcënim direkt dhe shkelje të marrëveshjeve. Presidenti i francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një komunikatë të përbashkët pas takimit që mbajtën të enjten në Bruksel me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç mirëpriten angazhimin e “të dyja palëve” për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Beogradi zyrtar kërkuan që të ndërmerren hapa konkrete për njohjen de facto të Kosovës.