Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë direkte prej 302 milionë dollarësh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak.
Në dekretin e tij, kreu i shtetit shqiptar ka dhënë pëlqimin për hyrjen në fuqi të menjëhershme të këtij ligji. Kjo marrëveshje u miratua në Parlament me 74 votat e mazhorancës socialiste dhe u shqyrtua me procedurë të përshpejtuar në seancë plenare me dyer të mbyllura, për shkak të konfidencialitetit.
Ajo u votua pa opozitën, e cila e bojkotoi procesin dhe nuk e mbështeti, me argumentin se nuk kishte lexuar marrëveshjen. Marrëveshja mbetet konfidenciale, por sipas kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, huaja do të përdoret për:
- Modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura;
- Financim gradual, sipas nevojave, me garancitë e përcaktuara në marrëveshje;
- dhe ka Afat shlyerjeje 12 vjet.
Huaja do ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes. Ndërsa Partia Demokratike ka dalë hapur kundër marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Demokratët kanë vendosur ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen Shqipëri–SHBA, duke kërkuar pezullimin e saj dhe shfuqizimin e ligjit ratifikues, me synimin për të bllokuar huanë prej 302 milionë dollarësh, e cila do t’i shërbejë Shqipërisë për investime në pajisje ushtarake dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
Me këtë marrëveshje, Shqipëria rikonfirmohet si një anëtare e rëndësishme në arkitekturën e paqes dhe sigurisë, si edhe ecën me siguri drejt pritjes së Samitit të radhës të NATO-s në Tiranë.
Ligji hyn në fuqi në momentin e publikimit në Fletoren Zyrtare.
Dekreti i Kreut të Shtetit:
Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe 4, dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D E K R E T O J:
Neni 1
Shpalljen e ligjit nr. 91/2026, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.
Neni 2
Dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit nr. 91/2026, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”.
