Kontrolle ‘blic’ në Tiranë e Fushë Krujë, pranga 2 personave/Sekuestrohen kokainë, armë të ftohta dhe një automjet luksoz

AKTUALITET


Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë publike dhe goditjen e paligjshmërive.

Operacioni është zhvilluar në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e mjeteve luksoze, automjeteve të blinduara, mjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe atyre me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese.

Gjatë kontrolleve u verifikuan 87 automjete dhe 118 shtetas. Policia konstatoi dhe hoqi 34 xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masa administrative.

Po ashtu, 12 automjete dhe 16 shtetas u shoqëruan për verifikime të mëtejshme.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë dy persona. Njëri prej tyre u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tjetrit iu sekuestrua një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike.

Ndërkohë, një shtetas tjetër u shoqërua pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa policia sekuestroi automjetin luksoz që ai përdorte.

Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me synim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.



Skip to toolbar